Mohamed Salah mbërrin te Trabzonspor, Ernest Muçi bën gjestin e veçantë për të pritur ikonën e Egjiptit
Një nga lëvizjet më të bujshme të merkatos ruse tashmë është zyrtare: Mirlind Daku është lojtari më i ri i Spartak Moskës!
Sulmuesi shqiptar ka hedhur firmën mbi një kontratë që e pozicionon atë si një ndër emrat më të paguar dhe më të vlerësuar në kampionat, pasi klubi nga kryeqyteti rus nuk hezitoi të paguajë 11 milionë euro për të aktivizuar klauzolën e tij të largimit nga Rubin Kazan.
Në fotot zyrtare të prezantimit në ambientet e Spartak Moskës, Daku është shfaqur i buzëqeshur me fanellën e tij të re me numrin 19, i shoqëruar nga njeriu që bëri të mundur këtë mega-operacion: menaxheri i tij i njohur, Shkumbin Qormemeti. Ai ka negociuar një kontratë të artë për klientin e tij. Sulmuesi do të jetë i lidhur me Spartak Moskën për 3 vitet e ardhshme, ku do të përfitojë një pagë të majme prej 4.2 milionë eurosh në total, pa llogaritur bonuset e rëndësishme që lidhen me numrin e golave dhe objektivat ekiporë, mëson eksklzuvisith Top Channel.
Përpara se të bënte hapin e madh drejt Moskës, Daku e mbylli aventurën e tij me Rubin Kazanin si një hero i vërtetë. Ndeshja e tij e fundit ishte ajo kundër Akron Toljatit, ku sulmuesi shqiptar e pruri sërish fitoren (2-1) me gjeometrinë dhe golin e tij karakteristik.
Por ajo që do të mbetet gjatë në memorien e tifozëve është mënyra e lamtumirës. Klub, shokë të skuadrës dhe tifozë iu përkulën kontributit të tij. Rubin Kazan publikoi një dokumentar emocionues pothuajse 20-minutësh, që pasqyron momentet më të bukura të Dakut me fanellën e tyre — nga golat vendimtarë, fjalimi i tij rrëqethës në dhomën e zhveshjes pas ndeshjes së fundit, e deri te momenti kur lojtarët e ngritën në krahë ndërsa sulmuesi shpërtheu në lot.
Ky transferim dëshmon rritjen e pandalshme të 28-vjeçarit. Daku u transferua te Rubin Kazani nga NK Osijek në korrik të vitit 2023 për një shifër modeste prej vetëm 1.2 milionë eurosh. Në pothuajse tre sezone me klubin nga Kazani, ai u shndërrua në makineri golash dhe lider absolut, duke e rritur vlerën e kartonit të tij pothuajse 10-fish. Tani, me mbështetjen e një klubi gjigant si Spartaku, Daku është gati për të lënë gjurmë të reja në luftën për titull kampion.
Top Channel