Telenovela Julian Alvarez, argjentinasi gati të rrisë presionin mbi Atletico Madrid për t’u transferuar te Barcelona

05/08/2026 22:32

Barcelona ka hyrë në një fazë vendimtare të operacionit Julian Alvarez. Pas disa javësh(muajsh) bisedimesh me ndërmjetësit, me një ofertë prej 100 milionë eurosh në tryezën e Atletico madrid dhe refuzimesh nga ana e Los Colchoneros, sulmuesi argjentinas ka vendosur të bëjë një hap tjetër përt të zhbllokuar transferimin e tij në Camp Nou.

Sipas të përditshmes spanjolle Sport që i referohet burimeve pranë këtij operacioni, Alvarez së bashku me personat rreth tij i komunikuan Decos në takimin më të fundit të zhvilluar në Madrid se është gati të rrisin presionin mbi klubin bardhekuq. Nuk bëhet fjalë për një vendim të improvizuar, por është një lëvizje brenda strategjisë që të dyja palët kanë përpiluar gjatë javëve të fundit duke parë qëndrimin e palëkundur të Atletico për të mos e lejuar Julian Alvarez të shkojë te Barcelona.

Por Alvarez nuk ka ndërmend të rebelohet me forcë dhe dëshiron që deri në fund të mbajë një sjellje perfekte në aspektin profesional. Që nga e hëna ai po ndjek një plan për të arritur në formën më optimale dhe do të bashkohet me skuadrën në 10 gusht pa vonesa dhe pa kryer asnjë gjest rebelimi. Pikërisht, me t’u kthyer në qendrën stërvitore të Atletico Madrid, argjentinasi do t’iu komunikojë drejtuesve të klubit madrilen dëshirën për t’u larguar nga Los Colchoneros dhe për t’u transferuar te Barcelona.

Pas deklaratës së tij gjatë Botërorit ku e tha qartë se dëshironte transferimin për të bërë realitet ëndrrën e tij, gjë që nuk u pëlqye aspak nga Atletico Madrid, Julian Alvarez dhe përfaqësuesit e tij nuk duan konflikte të tjera. Për këtë arsye, futbollisti do të bëjë një peticion në mënyrë private, pa gjeste dhe deklarata publike, pasi objektivi i tij është që të mos provokojë një ‘luftë’ institucionale, por të bindë Atletico Madrid që të pranojë, të paktën të ulet në bisedime.

Julian Alvares e kupton se ka ardhur momenti që ai të shprehë personalisht pozicionin e tij pasi çdo lëvizje e kryer seri tani nuk kanë shërbyer për të ndryshuar qëndrimin e klubit madrilen dhe do të shprehet qartë se ai dëshiron që të transferohet vetëm te Barcelona, diçka që do të krijonte dyshime serioze te Atletico Madrid në lidhje me bashkëjetesën me një futbollist që do ta ketë mendjen në një vend tjetër.

Në këtë pikë topi do të jetë në fushën e  Miguel Ángel Gil Marín dhe drejtuesve të tjerë të Atletico Madrid të cilët do të duhet të vlerësojnë nëse ia vlen mbajtja me detyrim në skuadër të një lojtari që privatisht dhe publikisht ka shprehur dëshirën për të kaluar te Barcelona. Ndërkaq, klubi blaugrana këmbëngul në ofertën e tij prej 100 milionë eurosh, por nëse Atletico Madrid do të pranojë të ulet në bisedime, atëherë kampionët e Spanjës janë gati të rrisin ofertën e tyre për t’u afruar më shumë me pretendimet e Los Colchoneros.

Top Channel