Përplasje diplomatike SHBA-Brazil, Trump i heq vizën ambasadores së Brazilit në Uashington. Lula da Silva: Përshkallëzim i qëllimshëm

05/08/2026 12:29

Administrata e Donald Trump ka revokuar vizën e ambasadores së Brazilit në SHBA, Maria Luiza Ribeiro Viotti, duke përshkallëzuar përplasjen diplomatike mes Uashingtonit dhe qeverisë së presidentit Luiz Inácio Lula da Silva.

Departamenti Amerikan i Shtetit tha se vendimi erdhi si kundërpërgjigje ndaj refuzimit të Brazilit për të miratuar kandidaturën e Trump për ambasador në Brasília, Daniel Perez, si dhe pas mosdhënies së vizave për dy diplomatë amerikanë që kërkonin të vizitonin Brazilin përpara zgjedhjeve të tetorit.

Sipas zyrtarëve amerikanë, viza e ambasadores mund të rikthehet nëse Brazili miraton emërimin e Perezit. Uashingtoni paralajmëroi gjithashtu se mund të ketë masa të tjera diplomatike nëse situata nuk zgjidhet.

Qeveria braziliane e dënoi vendimin, duke e cilësuar si pjesë të një fushate presioni ndaj Brazilit dhe një përpjekje për të ndikuar në procesin zgjedhor.

Ky nuk është një incident i izoluar, por pjesë e një përshkallëzimi të qëllimshëm të masave armiqësore kundër Brazilit“, deklaroi zyra e presidentit Lula.

Përplasja mes dy vendeve lidhet edhe me zgjedhjet presidenciale në Brazil, ku Lula pritet të kërkojë një mandat të ri përballë senatorit Flávio Bolsonaro, djalit të ish-presidentit Jair Bolsonaro dhe aleatit politik të Trump.

Marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Brasília-s janë tensionuar muajt e fundit edhe për çështje të tjera, përfshirë tarifat amerikane ndaj eksporteve braziliane, mosmarrëveshjet mbi Venezuelën, Kubën dhe akuzat për ndërhyrje në proceset politike.

Megjithatë, Departamenti Amerikan i Shtetit tha se synimi mbetet rikthimi i një marrëdhënieje “normale, produktive dhe transparente” me Brazilin.

Top Channel