Kaos në qytetin fqinj të Ceutës, Fnideku po përballet me krizën më të rëndë migratore, mbërrijnë mijëra të rinj

04/08/2026 15:02

Në qytetin Ceuta të Spanjës situata pas fluksit masiv të emigrantëve po normalizohet, por gjendja po tensionohet në qytetin fqinj, Fnidek, ku po mbërrijnë mijëra njerëz.

Fnideku zakonisht është një vendpushim i qetë me pamje nga Ceuta, por qyteti tani ndodhet në gjendje të jashtëzakonshme: plazhet janë rrethuar me barriera, ndërsa pjesëtarët e policisë kombëtare marokene, të armatosur me armë të gjata, janë vendosur pothuajse në çdo cep dhe shkëmb.

Në Fnidek shihen kryesisht grupe të rinjsh që kërkojnë strehim. Edhe këtu e kanë të vështirë të gjejnë ushqim, madje edhe kur kanë para, pasi shumë kafene dhe restorante janë mbyllur nga frika e plaçkitjeve, ndërsa ato që punojnë kontrollojnë rreptësisht hyrjen dhe refuzojnë t’u shërbejnë të rinjve.

Ekspertja spanjolle e migracionit, Beatriz Masa, që ndjek prej vitesh situatën në këtë rajon, u shpreh se Fnideku nuk ka përjetuar kurrë më parë skena të tilla.

Beatriz Masa dhe ekspertë të tjerë besojnë se një lëvizje e tillë masive ishte e mundur vetëm sepse autoritetet marokene e lejuan në mënyrë të heshtur, si pasojë e krizës politike mes Spanjës dhe Marokut.

Shumë turistë kanë anuluar pushimet e tyre në Fnidek, ndërsa ata që megjithatë kanë ardhur thonë se nuk e njohin më vendpushimin e qetë që dikur vizitonin dhe preferojnë të qëndrojnë brenda hoteleve.

Pasojat tashmë po ndihen edhe nga tregtarët në tregun e qytetit, jo larg plazhit. Ndërkohë, pasojat ekonomike dhe humanitare të krizës janë ende larg zgjidhjes.

Top Channel