Dritë ‘jeshile’? Katari: Po qarkullojnë drafte të një marrëveshjeje të mundshme SHBA-Iran
Një ngjarje makabre në Mystras të Greqisë ka tronditur opinionin publik.
Detaje të reja zbulojnë se djali 55-vjeçar dyshohet se ka mbajtur trupin e babait të tij të vdekur në një frigorifer për rreth 2.5 vjet, për të vazhduar të merrte pensionin e tij dhe atë të nënës së ndjerë.
Sipas hetimeve paraprake, nëna e 55-vjeçarit kishte ndërruar jetë më herët, ndërsa pensioni i saj përfitohej nga bashkëshorti i saj, babai 90-vjeçar i të arrestuarit.
Rasti u zbulua pasi autoritetet në Laconia morën informacion se 90-vjeçari, i lindur në vitin 1936, nuk ishte parë prej një kohe të gjatë.
Gjatë hetimit, policia kontaktoi djalin e tij 55-vjeçar, i cili pretendoi se babai i tij ishte larguar dhe jetonte në Athinë.
Megjithatë, hetuesit verifikuan deklaratën e tij dhe kontaktuan motrën e 55-vjeçarit, e cila jeton në Athinë. Ajo u tha autoriteteve se nuk e kishte parë babanë e saj prej vitesh dhe se ai kishte jetuar me vëllain e saj.
Pas këtyre dyshimeve, policia kreu një kontroll, në prani të prokurorit, në një hotel në pronësi të 55-vjeçarit. Objekti ishte i mbyllur dhe ai e përdorte si banesë.
Në bodrumin e hotelit, policia gjeti trupin e 90-vjeçarit brenda një frigoriferi dhe gjatë kontrollit u gjet dhe u sekuestrua edhe një armë me ajër.
55-vjeçari u arrestua dhe, gjatë marrjes në pyetje, dyshohet se ka pranuar ngjarjen. Ai ka deklaruar se babai i tij kishte ndërruar jetë rreth dy vjet e gjysmë më parë nga shkaqe natyrore dhe se e kishte fshehur trupin në frigorifer për të vazhduar marrjen e pensionit.
Sipas deklarimeve të tij, ai përfitonte gjithashtu edhe pensionin e nënës së tij, i cili i kalonte babait të tij si përfitues.
Në vendngjarje mbërritën një mjek ligjor dhe një ekip i Zyrës së Hetimit Penal të Spartës. Për trupin është urdhëruar kryerja e autopsisë për të përcaktuar shkaqet e sakta të vdekjes.
Ndaj 55-vjeçarit janë ngritur akuza për dëshmi të rreme, mashtrim të përsëritur dhe shkelje të legjislacionit për armët. Ai pritet të dalë para prokurorit, ndërsa hetimet vijojnë nga autoritetet kompetente.
Top Channel