Trump nderohet në mënyrë të veçantë/ Autostrada në Marok merr emrin e tij, reagon Presidenti amerikan: Shpresoj ta përshkoj këtë rrugë së shpejti

03/08/2026 15:25

Maroku ka vendosur t’i vendosë emrin e presidentit amerikan Donald Trump një prej autostradave më të rëndësishme të vendit, një vendim që është konfirmuar zyrtarisht nga Mbreti Mohammed VI.

Sipas mediave ndërkombëtare, monarku maroken i ka dërguar një letër Trumpit, ku i bën të ditur se autostrada Tiznit–Dakhla, me gjatësi 1,055 kilometra, do të mbajë emrin e tij. Mbreti e cilëson këtë si “një shprehje personale të vlerësimit të lartë” për presidentin amerikan.

Autostrada përshkon edhe Saharan Perëndimore, territor i diskutueshëm që kontrollohet kryesisht nga Maroku, por që pretendohet edhe nga Fronti Polisario, i cili kërkon pavarësinë e popullsisë sahraui.

Në letër, Mohammed VI falënderon Trump për vendimin e administratës së tij në vitin 2020, kur Shtetet e Bashkuara njohën sovranitetin e Marokut mbi Saharan Perëndimore. Ky vendim ishte pjesë e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve diplomatike mes Marokut dhe Izraelit.

Sipas mbretit, kjo mbështetje “do të mbetet përgjithmonë në kujtesën e marokenëve, brez pas brezi”, ndërsa shtoi se marrëdhëniet mes dy vendeve nuk kanë qenë kurrë më të forta sesa gjatë mandateve presidenciale të Trump.

Vetë presidenti amerikan reagoi disa ditë më parë në rrjetin e tij social Truth Social, ku falënderoi Mbretin Mohammed VI për këtë nderim. Ai publikoi edhe një video të autostradës, e cila ka kushtuar rreth 1 miliard dollarë për t’u ndërtuar.

“Shpresoj ta përshkoj një ditë të gjithë këtë autostradë të mrekullueshme, mundësisht shumë shpejt”, shkroi Trump.

Sahara Perëndimore mbetet një nga konfliktet më të gjata territoriale në Afrikë. Kombet e Bashkuara e konsiderojnë atë një territor pa vetëqeverisje dhe prej dekadash kanë bërë thirrje për një zgjidhje politike, ndërsa statusi përfundimtar i rajonit vazhdon të mbetet objekt mosmarrëveshjesh ndërkombëtare.

Top Channel