“Teherani ka mbetur pa para”/ Zyrtarët amerikanë analizojnë luftën: Sanksionet po i bëjnë më shumë dëme Iranit se sulmet

28/07/2026 07:10

Sanksionet ekonomike mund t’i shkaktojnë regjimit iranian dëme më të mëdha sesa bombardimet ushtarake, kanë deklaruar zyrtarë amerikanë për Axios, duke iu referuar vlerësimeve të inteligjencës që flasin për një krizë të rëndë ekonomike në Iran.

Sipas një zyrtari amerikan, Teherani po përballet me mungesë të theksuar fondesh, ndërsa prioriteti i autoriteteve iraniane është sigurimi i burimeve financiare.

“Iranianët duan të ndalojnë bombardimet dhe duan para. Por, në këtë renditje, ata duan para së pari”, është shprehur zyrtari amerikan.

Burimet e inteligjencës pretendojnë se Irani ka vështirësi në financimin e subvencioneve dhe furnizimit me karburant. Gjithashtu, ekziston shqetësimi se qytetarët mund të nxitojnë drejt bankave për të tërhequr kursimet, duke rritur presionin mbi sistemin financiar.

Të martën e 28 korrikut, konflikti mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit hyn në muajin e gjashtë, megjithëse nuk janë regjistruar sulme mes dy vendeve për katër net radhazi.

Në këtë sfond, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se Irani është rikthyer në bisedime për një marrëveshje.

“Irani po flet me ne për arritjen e një marrëveshjeje tani. Negociata shumë miqësore janë duke u zhvilluar dhe do të shohim se si do të shkojë”, tha Trump.

Ndërkohë, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ndodhet në Uashington, ku pritet të zhvillojë një takim me presidentin Trump, në kuadër të pjesëmarrjes së tij në ceremoninë mortore të senatorit Lindsey Graham. Takimi pritet të fokusohet edhe në zhvillimet e fundit lidhur me Iranin.

Top Channel