Fiks Fare/ 160 milionë lekë për rrugën Tamarë-Vukël, banorët: Po na bie mali mbi kokë Fiks Fare denoncoi sorollatjet në sistemin gjyqësor dhe atë ekzekutiv të një subjekti privat, i cili në vitin 2017 konkurroi për të fituar linjën e transportit Përmet – Tiranë – Përmet, por pas një seri vendimesh administrative dhe gjyqësore të formës së prerë, të cilat i kanë dhënë të drejtë, sërish ata sorollaten dhe duhet të nisin dokumentet nga e para.
Në redaksinë e emisionit investigativ janë ankuar dy aksionerët e firmës “Përmeti Ekspress”, të cilët thanë se janë ndeshur në zyra shteti dhe ato gjyqësore gjatë kësaj kohe për të gjetur drejtësi, por s’e kanë marrë dhe vijojnë të sorollaten.
Agron Lara thotë se firma që ai është aksioner sëbashku me 9 familje të tjera përmetare ka pasur licencën e transportit Përmet – Tiranë dhe Përmet Gjirokastër, por bashkia para 12 vitesh dha 3 licenca. “Ne u ankuam në Ministrinë e Transportit dhe na thanë se do t’i rregullojmë ne këto gjëra. Shkuam te ministria dhe ata gabimin e bashkisë e shfrytëzuan dhe hapën një konkurrim” thotë ai.

Më tej shtojnë se, gara për licencën u zhvillua në vitin 2017, në ambientet e Ministrisë së Transportit. “Në këtë garë doli fitues shoqëria tjetër. U paraqitën vetëm dokumentet në Ministrinë e Infrastrukturës. Paraqitën letrat 3 shoqëri. Para garës, dy shoqëritë kundërshtarë u bashkuan. Dhe se si i bënë muhabetet se morëm vesh. Dhe fitues dolën ata në garë. Letrat s’u hapën atje. Pasi u mbyll komisioni, këta kundërshtarët tanë kishin mangësira dhe një dokument e bënë të nesërmen. Nuk e morën vendimin ditën e ankandit por e lanë për të nesërmen. Ata kishin një makinë të pa regjistruar, e kishin thjeshtë kështu false” thonë ata.
Më tej shtojnë se ankimuan vendimin administrativisht dhe në rrugë gjyqësore. “Kemi që në 2017-ën që jemi në gjyqe. Ne paditëm të dyja, ministrinë dhe shoqërinë tjetër. Gjyqin e fituam, shkalla e parë vendosi rrëzimin e komisionit, dhënien e licencës për ne, ‘Përmeti Ekspres’. Detyrimin e Ministrisë të pajisë me licencë shoqërinë tonë. Vendimi i shkallës së parë u dha në datën 16.10.2017 që detyronte ministrinë për të na pajisur me licencë. Çështja u ankimua dhe shkoi në apel. Pas 8 vitesh pritje në Apel, është faji i shtetit jo i joni, gjykata la në fuqi vendimin e Shkallës së Parë të Gjykatës Administrative. Vendimi i Apelit është dhënë në datën 25 shkurt të vitit 2025” thotë Agroni.

Pas vendimit të apelit, ata kanë shkuar disa herë te ministria. “Na thonë silleni vendimin e formës së prerë që unë t’a zbatoj. Ua kemi çuar tani, kur u dha, po janë ndërruar shumë njerëz dhe nuk i gjen dot ata të parët që ishin atje. Këta të dytët e lënë në heshtje nuk të kthejnë përgjigje. Pasi u dha vendimi, ministria ua la në dorë vendimin DPSHTRR-së dhe kjo drejtori ua hoqi licencën atyre. Tani licenca është e lirë po këta s’duan të na e jepin neve, se si e kanë arsyen nuk e dimë. Tani kur janë dy vetë në garë njëri humbet e tjetri fiton. Tani as na presin dhe asnjë gjë. E lënë pezull dhe kërkojnë të hapin ankand tjetër” pohojnë ata.
Mësohet se aktualisht nuk ka asnjë linjë që e bën Përmet – Tiranë, por punohet kontrabandë. “Ata që ishin, që iu hoq licenca, po e vazhdojnë akoma por në mënyrë të fshehtë. Pa licencë. Me shoqërinë tonë vetëm presim, kemi 9 vjet të papunë që presim vetëm nga shteti. Këta nuk e dimë se si i shpjegojnë këto gjëra. Ne kemi qenë 10 familje si shoqëri aksionere dhe disa janë larguar dhe tani jemi 6 familje. Ne kërkojmë rikthimin e licencës dhe dëmin që na është shkaktuar gjatë 9 viteve” thonë dy aksionerët.
Pas ankesës, ata shkojnë te Ministria e Infrastrukturës dhe interesohen për vendimin. Fillimisht i orientojnë te protokolli. Punonjësja u thotë se, letra juaj ka ardhur po s’ka përgjigje. Ajo i thotë se ka ardhur letra më 19 janar dhe s’ka ende përgjigje. Aksionerët e pyesin se ka kaluar afati, teksa punonjësja përgjigjet se s’mund të shpjegoj më tepër. Më tej i orienton që të shkojnë te drejtoria e licencave se e kanë marrë ata shkresën.
Dy aksionerët takojnë drejtorin e licencave në korridorin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, i cili i thotë se është në pritje se çfarë do të vendoset. I kërkojnë informacion teksa ai i thotë se “s’varet nga mua”.
Disa muaj pas interesimit, drejtoria e Derregullimit, Lejeve, Licencave dhe Monitorimit, i ka kthyer përgjigje më datë 5 maj 2026 shoqërisë “Përmeti Express”, se dy vendimet e gjykatave, nuk e detyrojnë Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë për shpërblimin e dëmit jashtëkontraktor, për të cilën ju pretendoni.

“Gjykata Administrative e Shkallës së Parë, vendimi i së cilës është lënë në fuqi nga Gjykata e Apelit, ka shpallur absolutisht të pavlefshëm vendimin e datës 31 janar 2017 të komisionit të vlerësimit, me të cilin ishte shpallur fitues bashkimi i operatorëve “Ariani Ekspres” dhe “Fjoart Travel”, për operimin në linjën Përmet – Tiranë – Përmet. Për sa më lart, vlerësojmë se nuk është e mundur shpallja automatike e operatorit si fitues vetëm mbi bazën e pikëzimit të mëparshëm, por duhet ndjekur një proces i rregullt dhe i ligjshëm administrativ” thuhet në këtë dokument.
Pavarësisht kalvarit prej më shumë se 9 vitesh, vendimeve të komisioneve, apelimit apo edhe të gjykatave, ministria shkruan se do të hapë një procedurë të re, duke i lënë aksionerët e shoqërisë Përmeti Ekspres sërish në dyert e institucioneve për të gjetur drejtësi!
Top Channel