Fishta “pushtohet” nga të huajt, turistë nga Franca dhe Zelanda e Re: E kemi vizituar që në  vitin 2015, kthehemi shpesh këtu

26/07/2026 12:23

Fshati i Fishtës në Lezhë po kthehet në një nga destinacionet më të veçanta për turistët e huaj, të cilët po kërkojnë gjithnjë e më shumë përvoja autentike pranë natyrës, traditës dhe jetës së banorëve të zonës.

Vizitorë nga Franca, Zelanda e Re, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vende të tjera të botës tregojnë se ajo që i ka sjellë në këtë fshat nuk është vetëm bukuria e peizazhit, por edhe historia, ushqimi tradicional dhe mikpritja shqiptare.

Një turiste nga Zelanda e Re, e cila vizitoi për herë të parë Shqipërinë me familjen e saj, tregon se Fishtën e zbuloi gjatë kërkimeve për një vend me natyrë, jetë në fermë dhe ushqim të mirë. Ajo thotë se përvoja në fshat ishte ndryshe nga çdo udhëtim tjetër.

“Vij nga Zelanda e Re dhe kjo është hera ime e parë në Shqipëri. Zbulova Fishtën duke kërkuar një vend me natyrë, jetë në fermë dhe ushqim të mirë. Kam përjetuar jetën në fermë dhe jam ndjerë si pjesë e familjes. Fishta është e qetë, e sigurt dhe me ushqim të mrekullueshëm”, shprehet ajo.

Edhe për një tjetër vizitor nga Franca, kjo ishte hera e parë në Shqipëri. Ai zbuloi Fishtën përmes rekomandimeve dhe një udhërrëfyesi turistik.

“Kjo është vizita ime e parë në Shqipëri. Erdha nga Franca pasi dëgjova shumë fjalë të mira për Fishtën. Edhe pse kam qëndruar vetëm një ditë, jam ndjerë shumë i mirëpritur. Më kanë bërë përshtypje mikpritja, ushqimi, arkitektura dhe traditat. Do të doja të rikthehesha përsëri”, tregon ai.

Për turistët, një nga arsyet kryesore për t’u rikthyer është kuzhina tradicionale. Produktet lokale, gatimet e zonës dhe shija autentike e ushqimeve janë ndër elementët që vlerësohen më shumë nga vizitorët.

Ata vlerësojnë gjithashtu traditat, veshjet popullore, vallet dhe karakterin miqësor të njerëzve të zonës.

“Kam ardhur në Shqipëri që prej vitit 2015 dhe rikthehem shpesh. Fishta është e njohur për ushqimin tradicional me produkte lokale dhe mikpritjen e jashtëzakonshme. Më pëlqen kultura shqiptare, traditat dhe autenticiteti i këtij vendi. Ushqimi është fantastik dhe natyral. Me një fjalë, Fishta është e shkëlqyer”, shprehet një vizitore.

Për më të vegjlit, Fishta ofron gjithashtu aventura në natyrë. Një 13-vjeçare tregon se, përveç natyrës së gjelbër dhe ushqimit të mirë, ka shijuar kalërimin mes maleve, pemëve dhe luleve, si dhe kontaktin me kafshët e fermës.

“Vij nga Dubai dhe kjo është hera ime e parë këtu. Më pëlqen natyra, klima dhe ushqimi. Kam bërë shëtitje me kuaj, kam ushqyer kafshët dhe kam kaluar një përvojë shumë të bukur. Do të doja të kthehesha përsëri”, tregon ajo.

Nga ana tjetër, operatorët turistikë thonë se turistët nuk kërkojnë më vetëm të vizitojnë një destinacion, por duan të bëhen pjesë e jetës së përditshme të fshatit, duke njohur nga afër traditat, kulturën dhe mënyrën e jetesës së banorëve.

Nga natyra e qetë, te gatimet tradicionale dhe mikpritja e banorëve, Fishta po dëshmon potencialin e turizmit rural shqiptar dhe po pozicionohet si një destinacion që ofron përvoja autentike për vizitorët vendas dhe të huaj.

Top Channel