Braktisin fshatin prej rrugës , banorët e Mafsheqit të Krujës: Vështirësi për të arsimuar fëmijët

26/07/2026 19:57

Fshati i Mafsheqit, në malësinë e Krujës, ka burime të shumta natyrore dhe potencial për zhvillimin e turizmit, por sot përballet me një tjetër realitet, largimin e banorëve.

Amortizimi i rrugës që lidh fshatin me zonat përreth është kthyer në shqetësim kryesor për banorët, të cilët thonë se mungesa e infrastrukturës po i detyron të largohen.

Dikur ky fshat njihej për prodhimet e shumta bujqësore e blegtorale, ndërsa sot kanë mbetur vetëm pak familje që vazhdojnë të punojnë tokën dhe të mbajnë gjallë traditat e zonës. Banorët kujtojnë se fshati kishte shkollë dhe shërbime shëndetësore, ndërsa vitet e fundit fëmijët e paktë udhëtojnë drejt Krujës për t’u shkolluar.

“E kemi kërkuar disa herë, por nuk e ka marrë askush në konsideratë”, tha një banor.

Banorët thonë se investimi në rrugë do të ishte një mundësi jo vetëm për të frenuar braktisjen e fshatit, por edhe për të zhvilluar turizmin dhe ekonominë lokale. Ata kërkojnë ndërhyrje të shpejtë nga institucionet, që kjo zonë me bukuri të shumta të mos mbetet e harruar dhe e braktisur.

Top Channel