Barcelona ka bërë zyrtar afrimin e Karim Adeyemit. Sulmuesi gjerman largohet nga Borussia Dortmund dhe bëhet përforcimi i radhës i skuadrës së Hansi Flick për sezonin e ri.

24-vjeçari ka firmosur një kontratë që e lidh me klubin katalanas deri në vitin 2031. Barcelona do t’i paguajë Dortmundit 22 milionë euro si tarifë fikse, ndërsa marrëveshja parashikon edhe 7 milionë euro të tjera në formën e bonuseve të lidhura me paraqitjet dhe objektivat sportive. Klubi gjerman ka ruajtur gjithashtu një përqindje nga fitimi i një shitjeje të ardhshme të lojtarit.

Adeyemi, i njohur për shpejtësinë e jashtëzakonshme dhe aftësinë në duelet një kundër një, rikthehet nën drejtimin e Hansi Flick, trajnerit që i dha debutimin me kombëtaren gjermane në vitin 2021. Flick e konsideron sulmuesin një profil të përshtatshëm për krahët e ofensivës së Barcelonës falë shkathtësisë dhe shpërthimit në hapësira.

I dalë nga akademia e Red Bull Salzburgut, Adeyemi kaloi te Borussia Dortmund në vitin 2022. Me fanellën verdhezi ai zhvilloi 146 ndeshje dhe shënoi 36 gola, por periudha e tij në Gjermani u shoqërua edhe me probleme dëmtimesh dhe mungesë stabiliteti. Tashmë ai kërkon rilindjen në Camp Nou.

Me këtë transferim, Barcelona forcon repartin ofensiv dhe i shton skuadrës një lojtar me profil të ndryshëm: më shumë shpejtësi, depërtim dhe vertikalitet në krahë. Adeyemi pritet të jetë një nga armët e reja të Flick në projektin e tij te katalanasit.

Top Channel