Tjetër goditje për ish-kampionët e Gjermanisë, klubi legjendar i Mynihut humb të drejtën e përdorimit të stemës 100-vjeçare
Jürgen Klopp është vetëm një hap larg marrjes së drejtimit të kombëtares së Gjermanisë.
Federata Gjermane e Futbollit (DFB) ka thirrur për nesër në orën 11:00 një konferencë për shtyp në selinë e saj në Frankfurt, ku ish-trajneri i Liverpool-it do të prezantohet si pasardhësi i Julian Nagelsmann. Edhe pse emri i tij nuk u përmend në ftesën zyrtare, federata i ka fshirë të gjitha dyshimet mbi këtë emërim.
Marrëveshja, e cila përflitej prej ditësh, u konfirmua më tej nga vetë fjalët e Klopp para finales së Kupës së Botës, ku deklaroi: “Nuk jemi larg deklarimit të diçkaje. Kjo duhet të ndodhë gjatë ditëve në vijim.” Orët e fundit janë përcaktuar detajet e fundit, falë edhe mbylljes së marrëdhënies së tij me grupin Red Bull, ku ai mbulonte rolin e shefit global të strategjisë së futbollit. Para prezantimit, bordi mbikëqyrës dhe aksionerët e DFB-së duhet të miratojnë formalisht kontratën, e cila sipas zërave do të ketë kohëzgjatje deri në Kupën e Botës 2030. Drita e gjelbër konsiderohet thjesht një formalitet.
Drejtuesit e DFB-së, të udhëhequr nga presidenti Bernd Neuendorf dhe zëvendëspresidenti Hans-Joachim Watzke, e kishin piketuar Klopp-in si zgjedhje të parë menjëherë pas eliminimit të Gjermanisë nga Kupa e Botës përballë Paraguait dhe dorëheqjes vijuese të Nagelsmann. Sipas të përditshmes Bild, për të zgjidhur aspektet e fundit të largimit të Klopp nga Red Bull, një fondacion i lidhur me kompaninë do të marrë një donacion prej një milion eurosh. DFB nuk ka bërë komente mbi detajet e marrëveshjes.
Debuti i Klopp në stolin e Gjermanisë është parashikuar për më 24 shtator në Amsterdam kundër Holandës, në kuadër të Ligës së Kombeve. Më pas do të vijojnë përballjet me Greqinë, Serbinë dhe sërish me Greqinë. Ndër vendimet e para të trajnerit të ri do të jetë zgjedhja e portierit titullar pas tërheqjes së Manuel Neuer, si dhe përcaktimi i listës së lojtarëve për sfidat e ardhshme ndërkombëtare.
Top Channel