Zjarret në Francë, mijëra pa energji, flakët lënë mbi 2.300 familje pa energji elektrike

22/07/2026 12:28

Një zjarr i madh që po përfshin rajonin Var në jug të Francës vijon të përhapet, duke detyruar evakuime dhe lënë mijëra banesa pa energji elektrike. Autoritetet kanë mobilizuar qindra zjarrfikës dhe mjete ajrore për të frenuar flakët.

Një zjarr i fuqishëm që shpërtheu të martën në departamentin Var, në jug të Francës, ka lënë pa energji mijëra familje. Flakët vijojnë të përparojnë dhe ende kërcënojnë shumë zona të banuara. Deri të martën në mbrëmje, zjarri kishte përfshirë mijëra hektarë tokë, ndërsa qindra persona janë evakuuar për arsye sigurie.

Gjatë natës, kushtet më të favorshme të motit u kanë mundësuar ekipeve në terren të punojnë për izolimin e vatrave aktive dhe shuarjen e pikave më të nxehta. Përpara ndërprerjes së operacioneve ajrore për shkak të errësirës, avionët dhe helikopterët kryen mbi 100 hedhje uji.

Në operacion morën pjesë tetë avionë Canadair, katër helikopterë zjarrfikës dhe dy avionë Dash.

Franca po përballet prej javësh me zjarre të përditshme, të favorizuara nga valët e të nxehtit dhe thatësira e zgjatur. Sipas ministrit të Brendshëm, Laurent Nuñez, që nga fillimi i vitit 2026 janë djegur afro 40 mijë hektarë, një sipërfaqe shumë më e madhe se e gjithë ajo e përfshirë nga flakët gjatë vitit të kaluar.

Top Channel