Ylli anglez refuzon largimin nga “Etihad”. Interesimi i Milanit mbetet pa rezultat, ndërsa City siguron të ardhmen e një prej talenteve të akademisë së saj.

Phil Foden nuk do të transferohet te Milani. Sulmuesi anglez ka vendosur të vazhdojë aventurën e tij me Manchester Cityn, duke firmosur një kontratë të re që e lidh me klubin deri në vitin 2030.

Lajmi mbyll përfundimisht zërat për një largim të mundshëm nga “Etihad”, pasi Milani ishte një nga klubet që kishte shfaqur interes për 26-vjeçarin. Por drejtuesit e Manchester Cityt kanë reaguar shpejt dhe kanë siguruar që një prej produkteve më të suksesshme të akademisë së tyre të mbetet pjesë e projektit afatgjatë.

Foden, i cili iu bashkua akademisë së Cityt që në moshë të vogël, është kthyer në një simbol të klubit. Që nga debutimi në vitin 2017, ai ka koleksionuar trofe të shumtë, përfshirë gjashtë tituj të Premier League dhe Ligën e Kampionëve, duke qenë një nga figurat kryesore të epokës së sukseseve nën drejtimin e Pep Guardiolës.

Sezonet e fundit nuk kanë qenë më të mirat për anglezin, i cili ka vuajtur me formën dhe dëmtimet, madje humbi edhe vendin në listën e Anglisë për Kupën e Botës. Megjithatë, Manchester City vazhdon të besojë te potenciali i tij dhe e sheh si një lojtar kyç për të ardhmen.

Trajneri i ri i Cityt, Enzo Maresca, pritet të luajë një rol të rëndësishëm në rikthimin e Fodenit në nivelin më të lartë. Të dy kanë punuar së bashku edhe më parë në periudhën e suksesshme të klubit dhe anglezi beson se filozofia e re e trajnerit italian mund t’i përshtatet stilit të tij. Me këtë rinovim, Manchester City dërgon një mesazh të qartë: Foden mbetet një nga shtyllat e projektit të klubit për vitet e ardhshme.

Top Channel