Princi George mbush 13 vjeç, familja mbretërore publikon portretin e ri të tij
Presidenti i rrëzuar i Venezuelës, Nicolas Maduro dhe bashkëshortja e tij, Celia Flores, pritet të paraqiten sot në gjykatën federale në Nju Jork për një seancë dëgjimore, ku do të përcaktohet kalendari i procesit penal që zhvillohet ndaj tyre në Shtetet e Bashkuara.
Sipas një propozimi të përbashkët të paraqitur nga prokurorët dhe avokatët mbrojtës, gjyqi mund të nisë në qershor të vitit 2027, ndërsa vendimi përfundimtar për datën do të merret nga gjyqtari federal Alvin Hellerstein.
Maduro dhe bashkëshortja e tij janë deklaruar të pafajshëm ndaj akuzave për trafik droge. Autoritetet amerikane pretendojnë se ata kanë përdorur pozitat e tyre në pushtet në Venezuelë për të lehtësuar trafikimin e dërgesave të kokainës drejt Shteteve të Bashkuara.
Sipas Reuters, mbrojtja pritet të kërkojë rrëzimin e aktakuzës, duke argumentuar se Maduro gëzon imunitet si kreu i një shteti sovran. Avokatët e tij po shqyrtojnë gjithashtu mundësinë e kundërshtimit të ligjshmërisë së arrestimit, i cili u krye më 3 janar gjatë një operacioni të forcave speciale amerikane në rezidencën e tij në Karakas, të autorizuar nga presidenti Donald Trump.
Gjatë paraqitjes së tij të parë në gjykatë, Maduro e cilësoi veten si një “rob lufte”, duke pretenduar se Shtetet e Bashkuara kishin kërkuar prej vitesh rrëzimin e tij nga pushteti.
Pas arrestimit të tij, drejtimi i Venezuelës kaloi te ish-zëvendëspresidentja Delcy Rodríguez, e cila ka ndërmarrë hapa për të rivendosur marrëdhëniet me Uashingtonin.
Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara kanë lehtësuar disa nga sanksionet ndaj sektorit energjetik venezuelian, duke u hapur rrugë kompanive të huaja të naftës dhe gazit për të zgjeruar investimet në vend.
Top Channel