Gen Z, revolucion me meme/ Studentët shtojnë presionin ndaj qeverisë indiane pas skandaleve me provimet

22/07/2026 15:50

Mijëra studentë dhe mbështetës të lëvizjes “Cockroach Janta Party” u mblodhën të mërkurën në qendër të Nju Delhit, duke rritur presionin mbi qeverinë e kryeministrit Narendra Modi.

Lëvizja, e lindur fillimisht në rrjetet sociale, është kthyer në një nga sfidat më të mëdha politike për Modin që prej rizgjedhjes së tij në vitin 2024. Demonstruesit kanë ngritur kamp në sheshin Jantar Mantar dhe kërkojnë dorëheqjen e ministrit të Arsimit. Protestat morën mbështetje të fortë edhe nga partitë opozitare.

Lideri i Kongresit, Rahul Gandhi, kërkoi që qeveria të kërkojë falje për ndërhyrjen e policisë kundër protestuesve, ndërsa deputetët e opozitës organizuan protesta pranë rezidencës së kryeministrit dhe brenda Parlamentit. Përplasjet e së hënës mes policisë dhe demonstruesve ishin më të mëdhatë në kryeqytetin indian në pesë vitet e fundit. Forcat e rendit përdorën gaz lotsjellës dhe shkopinj gome për të shpërndarë turmën, ndërsa disa protestues hodhën gurë ndaj policisë.

Organizata Amnesty International akuzoi autoritetet për përdorim të tepruar të forcës, ndërsa Gjykata e Lartë e Indisë refuzoi të shqyrtojë një kërkesë për hetimin e dhunës policore. Protestat u nxitën nga një seri skandalesh në sistemin arsimor, përfshirë rrjedhjen e tezës së provimit kombëtar të pranimit në fakultetet e mjekësisë, që detyroi mbi dy milionë kandidatë ta ripërsërisnin testin. Pakënaqësitë janë shtuar edhe pas polemikave për korrigjimin elektronik të provimeve të shkollës së mesme.

Top Channel