U transportua në gjendje të rëndë në spital pas zhytjes në Radhimë, humb jetën turistja finlandeze

21/07/2026 11:22

Një turiste nga Finlanda u transportua me urgjencë në Spitalin Rajonal të Vlorës, pasi ka shfaqur probleme të rënda shëndetësore gjatë një zhytjeje të zhvilluar paraditen e sotme, por edhe pse mjekët i dhanë ndihmën, nuk e mbajtën dot në jetë.

Sipas informacioneve paraprake të mësuara nga korrespondenti i Top Channel Mikel Marsi, ajo ishte pjesë e një grupi zhytësish në zonën e Radhimës ku ndodhet dhe anija e mbytur Spitaliers, ku gjatë zhytjes dyshohet se ka pësuar mungesë oksigjeni, apo problem tjetër shëndetsor.

Turistja nuk është ndier mirë dhe është ndihmuar menjëherë nga zhytësit e tjerë, të cilët e kanë nxjerrë në sipërfaqe dhe më pas e kanë transportuar drejt Spitalit Rajonal të Vlorës.

Burime nga spitali bëjnë me dije se 52-vjeçarja mbërriti në gjendje të rëndë, me vështirësi në frymëmarrje dhe shenja të një komplikacioni serioz.

Mjekët i dhanë ndihmën e parë dhe e mbajtën nën kujdes intensiv, por nuk arritën ta mbanin në jetë.

Top Channel