Sulmi rus ndaj anijes me misër në Odessa, shkon në 13 numri i viktimave

20/07/2026 17:55

Një sulm me raketa ruse ndaj një anijeje me ngarkesë misri pranë portit jugor ukrainas të Odesës ka shkaktuar vdekjen e 13 personave, njoftuan autoritetet ukrainase.

Sipas tyre, bëhet fjalë për sulmin më vdekjeprurës të javëve të fundit në Detin e Zi.

Marina ukrainase bëri të ditur se forcat ruse goditën me tre raketa lundrimi anijen Golden Leo, e cila lundronte nën flamurin e Guinea-Bissau dhe kishte në bord një ekuipazh nga India dhe Siria. Si pasojë e goditjes, në anije shpërtheu një zjarr i madh.

Një dëshmitar në Odesë i tha agjencisë Reuters se pa re të dendura tymi që ngriheshin nga një anije pranë bregdetit. Më vonë, Reuters konfirmoi se bëhej fjalë për anijen Golden Leo.
Shikoni videon

Ndërkohë, një tjetër incident serioz u regjistrua në terminalin e Konsorciumit të Gazsjellësit Kaspik (CPC) në Novorossiysk të Rusisë.

Sipas kompanisë EOS Risk, cisterna NISSOS IOS, me flamur liberian dhe në pronësi greke, u godit nga mjete ajrore pa pilot (UAV) ndërsa po ngarkonte naftë bruto.

Raportohet se operacionet e ngarkimit u pezulluan menjëherë pas sulmit, ndërsa anija pësoi dëme të konsiderueshme në akomodim, urën e komandimit, pajisjet e navigimit, sistemet mekanike dhe objektet ndihmëse.

Dy incidentet vijnë në një kohë kur situata e sigurisë në Detin e Zi mbetet tepër e tensionuar, me sulme të vazhdueshme që po prekin si transportin e mallrave, ashtu edhe infrastrukturën energjetike në rajon.

Top Channel