Spanja dy herë kampione Bote, Luis de la Fuente nuk i kursen elozhet për të tijët: Ndihem shumë krenar, kemi fituar gjithçka

20/07/2026 00:24

Trajneri i Spanjës, Luis de la Fuente, nuk i fshehu emocionet pas fitores 1-0 ndaj Argjentinës në finalen e Kupës së Botës, sukses që i dhuroi “La Roja”-s titullin e dytë në histori.

Në prononcimin pas ndeshjes, tekniku spanjoll vlerësoi grupin e lojtarëve, duke theksuar se ky brez ka arritur të fitojë gjithçka.

“Jam shumë krenar për këtë brez futbollistësh që janë rritur me këtë ide, kanë qenë besnikë ndaj saj dhe e kanë bërë edhe më të mirë. Ata kanë dhënë shembullin e një grupi, të një familjeje. Janë futbollistë të shkëlqyer, me talent të jashtëzakonshëm. Ndihem shumë krenar”, u shpreh De la Fuente.

Trajneri pranoi se emocionet ishin të mëdha pas vërshëllimës finale, duke kujtuar rrugëtimin e suksesshëm të kësaj skuadre.

“Jam shumë i emocionuar. Kam parë pas dhe kam menduar për gjithçka kemi arritur. Me këtë brez futbollistësh kemi fituar gjithçka”, deklaroi ai.

Duke komentuar finalen, De la Fuente u shpreh se Spanja e meritonte ta kishte zgjidhur ndeshjen shumë më herët, por pranoi se portieri argjentinas Emiliano “Dibu” Martínez mbajti në lojë skuadrën e tij me pritjet vendimtare.

“Mendoj se ndeshja duhej të ishte vendosur shumë më herët. Ndërhyrjet e Dibu-së na penguan ta fitonim më shpejt. Megjithatë, është një finale e Kupës së Botës dhe duhet të dish edhe të vuash, madje edhe kundër dhjetë lojtarëve. Ne ishim të përgatitur për çdo situatë”, përfundoi trajneri spanjoll.

Top Channel