Deklarata e ministres serbe për spastrimin etnik të Kosovës, Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë i kërkon Shqipërisë të ngrejë çështjen në institucionet ndërkombëtare dhe të reagojë ndaj Beogradit

15/07/2026 10:56

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të fundit të zyrtarëve serbë, duke i cilësuar ato si retorikë shoviniste dhe kërcënuese për stabilitetin rajonal.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë kërkon reagim diplomatik nga Shqipëria dhe vëmendjen e institucioneve ndërkombëtare ndaj, siç i cilëson, rikthimit të gjuhës së urrejtjes dhe narrativave të së kaluarës.

Reagimi i plotë

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë dënon me vendosmëri deklaratat e fundit të një ministreje të Qeverisë së Serbisë, të cilat rikthejnë në diskurs koncepte që lidhen me spastrimin etnik të shqiptarëve. Kjo retorikë bie ndesh me vlerat evropiane dhe rrezikon stabilitetin rajonal.

Këto deklarata pasojnë një sërë qëndrimesh që relativizojnë politikat e së kaluarës dhe ngrenë shqetësime se Serbia nuk është distancuar plotësisht nga ideologjia që solli luftëra dhe krime në ish‑Jugosllavi.

KASH rikujton edhe diskriminimin ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës, përfshirë pasivizimin masiv të adresave, qe konsiderohet një genocid modern.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë rithekson se pavarësia e Kosovës është një realitet i pakthyeshëm. Shqipëria duhet të reagojë përmes një demarshi diplomatik ndaj ambasadës serbe ne Tiranë dhe, në koordinim me Kosovën, ta ngrejë çështjen pranë BE-së, NATO-s dhe partnerëve strategjikë.

Ballkani ka nevojë për lidership të përgjegjshëm, respekt për të drejtën ndërkombëtare dhe fqinjësi të mirë, jo për rikthimin e gjuhës së urrejtjes.

Top Channel