Parada madhështore e Ditës së Bastijës në Paris, Macron jep mesazhe për mbrojtjen e Europës dhe mbështetjen për Ukrainën

14/07/2026 14:01

Franca shënoi Ditën e Bastijës me një paradë ushtarake madhështore në bulevardin Champs-Élysées në Paris, ku mijëra ushtarë, dhjetëra avionë luftarakë, helikopterë dhe automjete ushtarake parakaluan përpara presidentit Emmanuel Macron dhe dhjetëra liderëve evropianë.

Ceremonia e këtij viti u karakterizua nga mesazhet për forcimin e mbrojtjes evropiane, riarmatimin e Francës dhe mbështetjen për Ukrainën.

Parada kishte një rëndësi të veçantë, pasi ishte festa e fundit kombëtare e Bastijës që Emmanuel Macron drejtoi si president i Francës, përpara përfundimit të mandatit të tij të dytë dhe të fundit kushtetues në vitin 2027.

Sipas mediave ndërkombëtare, ceremonia ishte një nga paradat më spektakolare të viteve të fundit. Rreth 6.700 ushtarë, 98 avionë, 31 helikopterë dhe 315 automjete ushtarake morën pjesë në paradë, ndërsa një homazh i veçantë iu kushtua 400-vjetorit të Marinës Franceze. Mijëra qytetarë ndoqën nga afër parakalimin përgjatë Champs-Élysées, ndërsa miliona të tjerë e panë ceremoninë përmes transmetimeve televizive.


Një vend të rëndësishëm në paradë zuri mbështetja për Ukrainën. Në ceremoni morën pjesë përfaqësues ushtarakë nga 37 vendet e “Koalicionit të të Gatshmëve”, me rreth 500 efektivë, si edhe 25 ushtarë ukrainas, të cilët marshuan si simbol i solidaritetit me Kievin.


Në Paris ishin të pranishëm edhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky dhe 24 krerë shtetesh e qeverish evropiane.

Parada nisi me demonstrimin ajror të skuadrës akrobatike Patrouille de France. Në fluturim morën pjesë edhe dy avionë Mirage 2000 me bashkëpilotë ukrainas të trajnuar në Francë, si dhe avionë luftarakë nga dhjetë vende evropiane. Dy avionë Rafale francezë fluturuan në formacion me avionë ushtarakë nga Spanja, Italia dhe Polonia, duke simbolizuar bashkëpunimin ushtarak mes aleatëve evropianë.

Përveç mjeteve ajrore, në paradë mori pjesë edhe një njësi këmbësorie e Forcave të Armatosura Greke, e përbërë nga 21 efektivë të Kompanisë së Nderit Ndër-Shërbimore.

Në mesazhin e tij, Emmanuel Macron deklaroi se Franca dëshiron paqen, por mbetet e përgatitur të mbrojë lirinë, sigurinë dhe të drejtën ndërkombëtare. Ai theksoi se gjatë presidencës së tij buxheti i mbrojtjes është dyfishuar dhe kujtoi se ligji i ri i planifikimit ushtarak parashikon investime prej 436 miliardë eurosh për periudhën 2024-2030, me synimin për të forcuar më tej kapacitetet mbrojtëse të Francës dhe të Evropës.

Top Channel