Zbulohen bisedat në SKY ECC, trafikantët e drogës ranë në dashuri me vajzat në Ekuador: Si ndahet më latines, gjithë ditën…
Gjatë seancës së sotme në Kuvend, deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri, është përplasur me deputeten e Partisë Socialiste, Zegjine Çaushi.
Gjatë fjalës së tij, Kapri iu drejtua Zegjine Çaushit duke deklaruar se ajo ka ardhur në këtë Parlament pa e merituar mandatin e deputetes. Gjithashtu, deputeti i këndoi Zegjines këngën që protestuesit i kanë dedikuar asaj.
Nga ana tjetër, Zegjine Çaushi deklaroi se kishte ardhur në seancë për t’i “përplasur të vërtetën sy më sy”, ndërsa hodhi akuza ndaj kreut të Partisë Mundësia, Agron Shehaj.
Çaushi kërkoi sqarime për burimin e pasurisë së Shehajt, duke pyetur se si i kishte siguruar 15 milionë euro, për të cilat pretendoi se ishin përdorur në transaksione fiktive.
Pjesë nga debati:
Erald Kapri: Nëse këtu ka një ndërmarrje që merret me komente dhe profile false, është një pjesë e administratës publike që punon e paguar edhe te zyrat e katit të dytë të Partisë Socialiste, edhe te kati përdhes i Pallatit të Kongresit. Janë një ushtri e tërë e paguar me para publike që sulmojnë kë të munden përpara. Kemi të gjithë shtetin në urdhër, merruni me shtetin edhe gjejnë, edhe ankoheni ju për dhunë.
Zonja të nderuara, zonja Çaushi edhe zonja Kida, nuk jam marrë asnjëherë me ju dhe pavarësisht se ju nuk pushoni. Unë e kuptoj pse jeni ju këtu, sidomos ju Zegjine, që erdhët dhunshëm në Parlament duke marrë një mandat që nuk e meritonit, dhe arsyeja pse bëhet kjo është për të tërhequr vëmendjen, për të mos folur për çështje reale dhe ju keqpërdorin ju, që është keqardhje e madhe. Edhe në fakt prania juaj në këtë seancë është dëshmi sa keq është katandisur parlamentarizmi në Shqipëri.
Kjo është hera e parë dhe e fundit që merrem me ju, se edhe si zonja dua t’ju respektoj, t’ju nderoj. Nuk jemi marrë me ju, ju jeni marrë me ne, por ne e kuptojmë se nga vijnë urdhrat.
Meqenëse zonja Çaushi është marrë 10 herë me ne, e kam një porosi nga dhjetëra e dhjetëra të rinj në shesh, të cilët të kanë dedikuar një këngë. E ke dëgjuar këngën e rinisë shqiptare?
“Zegjine, Zegjine, 3 milionë jemi ne, ti nuk di të numërosh, shko në shkollë të mësosh.”
Shihemi në shesh sot, më shumë deri në rrëzimin e Edi Ramës.
Zegjine Çaushi: Ta dish ti, Erald, përse kam ardhur unë këtu dhe ta mësosh një herë e mirë ti dhe të gjithë ato sorrat që financon ti atje në bulevard, se flamingot kanë fluturuar dhe kanë ngelur ato sorrat që i financon ti.
Unë këtu kam ardhur për të përplasur të vërtetën sy më sy ty dhe të gjithë shqiptarët ta dinë mirë. Ta dha kryetari i grupit parlamentar qëparë dhe po ta them unë tani: ku i ka gjetur Agron Shehaj ato 15 milionë euro që pastron paratë dhe i bën fiktive, gjoja shet një shtëpi? Ku është kjo shtëpi 15 milionë euro? Se edhe në New York nuk kushton një shtëpi 15 milionë euro. Ku i ka gjetur Agron Shehaj ato miliona euro? A ia ka dhënë hua këto? Këto t’ua tregoni shqiptarëve, ti dhe Agroni.
Top Channel