Diplomimi në UET, 500 të rinj hodhën kapelat në një ditë ceremoni emocionuese për brezin e 18-të të studentëve

10/07/2026 15:29

Rreth 500 studentë hodhën kapelat e diplomimit në Pallatin e Kongreseve, duke përmbyllur një etapë të rëndësishme që do të shënjojë karrierën dhe rrugëtimin profesional.

Në një ceremoni plot emocion, Universiteti Europian i Tiranës diplomoi brezin e 18-të të programeve bachelor.

Kjo ceremoni përkon me vitin e 20-të të themelimit të UET. Nga pak qindra të regjistruar në vitin 2006, në mijëra të diplomuar dy dekada më pas dhe një universitet i akredituar ndërkombëtarisht.

“E nisëm rrugëtimin tonë me shumë pak qindra studentë, duke arritur në fundin e dekadës së dytë në më shumë se 31.000 studentë. Jemi një qytet, jo vetëm një sallë e bukur, por një qytet i bukur i komunitetit të UET-istëve. Së bashku me ju, sot universiteti ynë ka diplomuar rreth 9.000 studentë në programin bachelor.

Mesazhi është i thjeshtë: të qëndrojmë log off sa më shumë të jetë e mundur dhe të përdorim librin si mjetin kryesor të zgjerimit të dijes. Në të kundërt, ne do të prodhojmë, si njerëzim, më shumë inteligjencë artificiale, por do të kemi problem me inteligjencën humane. Të mos e braktisim ndërveprimin human, marrëdhënien sociale dhe mënyrën tradicionale të jetës, duke i zëvendësuar me komunikimet përmes rrjeteve virtuale. Të përqafojmë teknologjitë e reja, sepse ato na mundësojnë të zgjidhim sfidat e sotme, por duhet të jemi të vëmendshëm edhe në raport me rreziqet e tyre”, tha presidenti i UET-së.

I ftuar nderi në këtë ceremoni, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, vlerësoi bashkëpunimin e hershëm me UET-në, si dhe kontributin që ky universitet jep në tregun e punës.

“Edhe në Bankën e Shqipërisë ne kërkojmë profesionistë që dinë të kombinojnë njohuritë ekonomike me aftësitë analitike, teknologjinë dhe gatishmërinë për të mësuar vazhdimisht. Pikërisht për këtë arsye, sot dua të përgëzoj Universitetin Europian të Tiranës për kontributin e rëndësishëm në zhvillimin e arsimit të lartë shqiptar. Rrugëtimi juaj i suksesshëm 20-vjeçar jo vetëm që ka përgatitur dhe diplomuar profesionistë të aftë për tregun vendas dhe atë ndërkombëtar, përfshirë këtu drejtues kompanish dhe korporatash, por gjithashtu ka sjellë një model të ri edukimi të bazuar te bashkëpunimi me industrinë dhe tregun e punës.

Nëse më lejoni një këshillë, mos e bëni udhëtimin tuaj profesional një përvojë të mbyllur dhe të vetmuar. Përkundrazi, mbështesni njëri-tjetrin dhe ata që u kujdesen, dhe ata që do të kujdesen për ju. Bashkëpunimi do t’ju ndihmojë të ndani mësimet që ju japin momentet e vështira dhe gëzimin që ju sjell suksesi”, tha Guvernatori i Bankës së Shqipërisë.

Rektorja, Prof. Dr. Drita Kruja, tha se UET vijon misionin për një arsim cilësor, duke thelluar rrugën e ndërkombëtarizimit me projekte dhe partneritete me institucionet dhe universitetet evropiane.

“Misioni ynë ka qenë t’ju ofrojmë një arsim cilësor të lidhur ngushtë me kërkimin shkencor, tregun e punës, sipërmarrjen, teknologjinë dhe bashkëpunimin ndërkombëtar. Ky mision reflektohet në arritjet e studentëve tanë. Gjatë këtij viti akademik, studentët e UET kanë përfaqësuar universitetin me dinjitet në projekte ndërkombëtare, konkurse, iniciativa kërkimore, aktivitete artistike dhe gara teknologjike, siç janë hackathon-et. Një nga drejtimet më të rëndësishme të zhvillimit tuaj është ndërkombëtarizimi. Përmes programit Erasmus dhe partneriteteve tona me 150 universitete europiane e më gjerë, studentët tanë kanë pasur mundësi të zhvillojnë një pjesë të studimeve jashtë vendit”, tha rektorja e UET-së.

Kjo ceremoni u bë edhe më e veçantë, me praninë e komunitetit të prindërve dhe Alumni UET ndër vite, të cilët ndanë eksperiencën e tyre dhe dhanë mesazhe të vlefshme për të rinjtë e sapodiplomuar.

Nuk munguan fjalimet e dekanëve dhe të studentëve më ekselentë të pesë fakulteteve, një traditë e vyer e ceremonive të diplomimit të UET-it, i cili vlerëson studentin si asetin e tij më të çmuar.

Top Channel