“Bukë, kripë e zemër”, Shoqata e Bujtinave promovon produktet shqiptare në Piqeras të Himarës

10/07/2026 15:30

“Bukë, Kripë dhe Zemër” u quajt takimi që u mbajt nga Shoqata e Restoranteve dhe Bujtinave Shqiptare në fshatin Piqeras të Himarës.

Shija e prodhimeve bujqësore dhe tradita e mikpritjes shqiptare janë elementët që zhvilluan sektorin e agroturizmit në vend. Në Himarë vizitorët nuk ndalen vetëm gjatë stinës së verës, pasi përveç detit, në çdo ditë të vitit aty gjen biznese që të ofrojnë traditën dhe gastronominë e zonës.

“Himara është vendi i mikpritjes dhe shijes autentike. Zhvillimi ynë nuk matet vetëm me numrin e turistëve në destinacion, por edhe me rritjen e shërbimit”, tha kryetari i Bashkisë së Himarës, Vangjel Tavo.

Pjesë e këtij takimi ishte edhe Prefekti i Qarkut të Tiranës, Shkëlqim Hajdari, i cili tha se të gjithë turistët duhet të njihen me Shqipërinë bujare.

“E gjithë bota duhet të njohë bujarinë dhe mikpritjen tonë, duke i dhënë falas çdo turisti ujë, bukë dhe vaj ulliri. Ne duhet të tregojmë që kemi vlera, ruajmë traditën dhe mirënjohjen”, tha Prefekti i Qarkut të Tiranës, Shkëlqim Hajdari.

“Bukë, Kripë dhe Zemër” pati në fokus ruajtjen e vlerave shqiptare.

Pas interesit të shtuar për të zbuluar Shqipërinë rurale, gjatë pesëvjeçarit të fundit numri i bujtinave dhe i agroturizmeve është rritur. Një zhvillim i tillë ka ndikuar pozitivisht edhe në ekonominë lokale.

Top Channel