Tragjedi në Kinë, të paktën 28 të vdekur nga zjarri në një fabrikë këpucësh

09/07/2026 17:06

Të paktën 28 persona kanë humbur jetën si pasojë e një zjarri të madh që përfshiu një fabrikë këpucësh në qytetin Jinjiang, në provincën Fujian të Kinës lindore.

Flakët shpërthyen rreth mesditës së së enjtes në fabrikën Huiteng Shoes, ndërsa autoritetet raportuan se për disa orë pati frikë se brenda godinës ndodheshin ende persona të bllokuar.

Pamjet e transmetuara nga televizioni shtetëror kinez CCTV treguan zjarrfikësit duke luftuar me flakët, ndërsa tym i dendur i zi dilte nga ndërtesa shumëkatëshe. Në video shiheshin edhe persona që kishin kërkuar strehim pranë dritareve dhe në çatinë e objektit, ndërsa zjarri kishte përfshirë katet e poshtme.

Ministria kineze e Menaxhimit të Emergjencave bëri të ditur se në vendngjarje u angazhuan 183 efektivë zjarrfikës dhe shpëtimi, të mbështetur nga 35 mjete zjarrfikëse, për shuarjen e flakëve, kërkimin e të mbijetuarve dhe ndihmën ndaj të plagosurve.

Presidenti i Kinës, Xi Jinping, e cilësoi ngjarjen si një tragjedi me “humbje të rënda njerëzore” dhe kërkoi që shkaqet e zjarrit të zbardhen sa më shpejt.

“Duhet të identifikohet sa më parë shkaku i aksidentit dhe personat përgjegjës të mbajnë përgjegjësi të plotë sipas ligjit”, deklaroi Xi.

Sipas mediave shtetërore kineze, disa persona rezultuan fillimisht të bllokuar dhe pa kontakte me ekipet e shpëtimit. Autoritetet kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e zjarrit.

Ngjarja vjen në një kohë kur Kina ka shtuar kontrollet për sigurinë nga zjarret, pas disa incidenteve tragjike të ndodhura muajt e fundit në ndërtesa banimi dhe objekte të tjera në vend.

Top Channel