Christian Eriksen është i vendosur të mos heqë dorë nga futbolli, pavarësisht se pësoi një tjetër kolaps të frikshëm në fushë gjatë miqësores mes Danimarkës dhe Ukrainës në muajin qershor.

Edhe pse shumë figura të njohura të sportit i kanë bërë thirrje të tërhiqet për sigurinë e jetës së tij, 34-vjeçari i shpëtoi më të keqes falë defibrilatorit të implantuar në zemër pas arrestit kardiak në Euro 2020 dhe tashmë po përgatit rikthimin e madh.

Klubi i tij, VfL Wolfsburg, konfirmoi përmes një komunikate zyrtare se mesfushori ka nisur një program individual rehabilitimi pranë familjes në Danimarkë, me synim zbritjen sërish në tapetin e gjelbër.

Por, pavarësisht formës së mirë individuale të danezit, i cili dhuroi 9 asiste duke u renditur i katërti në Bundesligë për këtë statistikë, skuadra e tij përjetoi një dramë të vërtetë sportive. Pas plot 29 vitesh qëndrim në elitën e futbollit gjerman, Wolfsburg ra zyrtarisht nga kategoria pasi u mposht në ndeshjet e “play-off”-it të mbijetesës nga skuadra e divizionit të dytë, SC Paderborn.

Top Channel