“Jeni hallka më e dobët e drejtësisë, s’kemi nevojë për qoka”/ Xhafaj kritikon ashpër KLP, Bogdani: Nuk ka rëndësi vetëm emërimi, por edhe…

07/07/2026 12:55

Këshilli i Lartë i Prokurorisë është përballur me kritika të forta gjatë raportimit në Komisionin e Posaçëm Parlamentar për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale.

Kryetari i komisionit, Fatmir Xhafaj, e cilësoi KLP-në si një nga hallkat më problematike të sistemit të drejtësisë, duke ngritur pikëpyetje mbi mënyrën se si institucioni ka ushtruar kompetencat e tij.

Sipas Xhafajt, edhe pse ka pasur disa përmirësime në krahasim me vitet e kaluara, KLP ende nuk ka arritur nivelin e pritshmërive që lidhen me reformën në drejtësi dhe standardet e kërkuara nga Bashkimi Evropian.

“Në punën e KLP-së ka disa hapa pozitivë, por mbetet një nga sistemet më të dobëta të drejtësisë në Shqipëri. Shumë çështje që lidhen me sistemin e prokurorisë burojnë nga vendimmarrje të diskutueshme të KLP-së. Krahasuar me atë që i ka dhënë ligji dhe me pritshmëritë e BE-së, ka ende shumë për të bërë,” deklaroi Xhafaj.

Një nga çështjet kryesore të diskutimit ishte mungesa e prokurorëve në sistem. Xhafaj ngriti shqetësimin se, pavarësisht mbi 100 vendeve vakante, KLP kishte kërkuar vetëm 12 prokurorë të rinj nga Shkolla e Magjistraturës.

Ai kërkoi shpjegime nga kryetarja e KLP-së, Mirela Bogdani, duke vënë në dyshim planifikimin e institucionit për plotësimin e vakancave.

“Keni qenë të paaftë të bëni llogaritjet e duhura apo ka një papërgjegjshmëri? Vitin e kaluar i keni kërkuar Shkollës së Magjistraturës vetëm 12 prokurorë, ndërkohë që keni mbi 100 vakanca. Si do ta zgjidhim këtë situatë? Kur do të kemi një plotësim të plotë të vendeve vakante?” pyeti Xhafaj.

Nga ana e saj, Mirela Bogdani argumentoi se numri i kërkuar ishte i lidhur me kriteret e cilësisë dhe numrin e kandidatëve të përshtatshëm.

“Arsyeja që u parashtrua ishte cilësia e numrit të kandidatëve,” tha Bogdani.

Diskutimi u zgjerua edhe te mënyra e rekrutimit të stafit mbështetës dhe organizimi i trajnimeve. Xhafaj ngriti shqetësime për kriteret e përzgjedhjes së personelit, duke sugjeruar se disa institucione të drejtësisë mund të jenë kthyer në ambiente ku punësohen familjarë të figurave të sistemit të drejtësisë dhe politikës.

“Keni nevojë për shtesa jo për të bërë qoka, për të marrë shokë e miq, burra, gra apo fëmijë të prokurorëve, gjyqtarëve apo politikanëve? Disa institucione janë kthyer në vende ku bashkohen fëmijët e prokurorëve dhe gjyqtarëve,” u shpreh kreu i komisionit.

Bogdani u përgjigj se trajnimet organizohen kryesisht nga ASPA dhe donatorë ndërkombëtarë, ndërsa theksoi nevojën për programe të posaçme trajnimi për vetë anëtarët e KLP-së mbi funksionimin kolegjial.

Gjatë raportimit u diskutua edhe procesi i emërimit të drejtuesit të ri të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH). Mirela Bogdani tha se procesi sapo ka përfunduar fazën e përzgjedhjes dhe se rëndësi nuk ka vetëm emërimi, por edhe mënyra e bashkëpunimit institucional.

“Nuk është i rëndësishëm vetëm emërimi, por edhe ndërveprimi për të reflektuar standarde ndërkombëtare. Kjo do të marrë pak kohë,” deklaroi ajo.

Top Channel