Palestinezët shtojnë kërkesat për azil, INSTAT: Aplikimet më të shumta në gusht-tetor, shtohen edhe heqjet dorë nga shtetësia shqiptare Për disa orë, 11 gra nga Izraeli u zhytën në botën e artizanatit tradicional shqiptar, duke zgjedhur Gjirokastrën për të mësuar nga afër artin e qëndisjes pranë mjeshtres së njohur Buqe Muka.
Në punishten e saj, ato u njohën me teknikat e punimit me dorë, motivet karakteristike të qëndisjeve gjirokastrite dhe historinë që fshihet pas këtij zanati të trashëguar ndër breza.Nen udhëzimin e mjeshtres, vizitoret provuan të realizonin vetë qëndisje, duke përjetuar një eksperiencë autentike dhe duke vlerësuar durimin, përkushtimin dhe mjeshtërinë që kërkon ky art. Për to, nuk ishte thjesht një kurs disaorësh, por një mundësi për t’u njohur nga afër me kulturën, traditat dhe identitetin e Gjirokastrës.
“Jam shumë e lumtur që jam këtu në Shqipëri. Është hera e parë që përjetoj një eksperiencë të tillë. Më pëlqen shumë kjo përvojë, më sjell qetësi shpirtërore dhe ndihem vërtet mirë. Ju jam shumë mirënjohëse të gjithëve për mikpritjen dhe për këtë mundësi.”, shprehet një nga vizitoret nga Izraeli.
“Unë jam nga Izraeli. Këtë herë kemi ardhur si grup për të vizituar Shqipërinë, por edhe për t’u njohur me traditën shqiptare. Tani po mësojmë të punojmë me dorë dhe kjo është një përvojë shumë e veçantë. Përveç vizitave në qytet, kemi mundësinë të përjetojmë diçka autentike dhe unike, që e bën këtë udhëtim edhe më të bukur”, thotë një tjetër vizitore izraelite.
Ky lloj turizmi përvojash po fiton gjithnjë e më shumë interes, pasi vizitorët nuk mjaftohen vetëm me vizitën në monumente, por kërkojnë të marrin pjesë në aktivitete që i lidhin drejtpërdrejt me jetën, traditat dhe zanatet e zonës që vizitojnë.
Top Channel