Teknikë aviacioni për herë të parë, UET dhe AVIATEC sjellin programin e parë për mirëmbajtjen e avionëve në Shqipëri

06/07/2026 15:23

Për herë të parë, Shqipëria do të përgatisë teknikë të aviacionit, për t’iu përgjigjur kërkesave gjithnjë e në rritje të kësaj industrie, në rang kombëtar dhe ndërkombëtar.

Partneriteti i Universitetit Europian të Tiranës me kompaninë AVIATEC do të mundësojë përgatitjen e teknikëve të mirëmbajtjes së avionëve sipas standardeve të Agjencisë Evropiane të Sigurisë së Aviacionit (EASA), përmes programit Aircraft Maintenance Technician (AMT).

Në forumin me temë “NextGen Aviation Skills Forum”, i cili bëri bashkë akademinë, përfaqësues të institucioneve publike dhe kompanive ndërkombëtare, programi dyvjeçar u konsiderua një model integrimi, që u hapi rrugën profesionistëve të aviacionit.

“Lançimi i programit të parë shqiptar për teknikë të avionëve, i zhvilluar në përputhje me standardet e Agjencisë së Sigurisë së Aviacionit të Bashkimit Evropian, konfirmon se standardet evropiane nuk janë objektiva abstrakte, por mundësi të prekshme që përmirësojnë arsimin, forcojnë fuqinë tonë punëtore dhe rrisin konkurrueshmërinë e vendit tonë”, tha zëvendësministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme Vilma Premti.

“Ky program përfaqëson angazhimin tonë për të ofruar një arsim që përmbush standardet evropiane dhe i përgatit të diplomuarit për karriera të suksesshme në të gjithë Evropën. Aviacioni ofron karrierë ndërkombëtare, inovacion të vazhdueshëm dhe mundësinë për të kontribuar drejtpërdrejt në një nga sektorët më të sigurt dhe më të përparuar teknologjikisht në botë”, tha administratori i UET-së, Tildi Çadri.

“Ne ndërtuam një urë midis arsimit dhe industrisë, midis Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian. Por kjo shkon më tej se Evropa. Shkon në ekosistemin global dhe programi ynë është hartuar rreth këtyre standardeve”, tha përfaqësuesja e AVIATEC, Ioannis Deligiannis.

Drejtori Ekzekutiv i Autoritetit të Aviacionit Civil Shqiptar, Maksim Et’hemaj, tha se tregu global i aviacionit ka nevojë për forca të reja pune për t’iu përgjigjur zhvillimeve teknologjike.

“Mund të punojmë me çekët, mund të punojmë me sllovenët, ky është aviacioni. Strategjia e ICAO-s e lançuar vitin e kaluar parashikon deri në vitin 2050, 14.2 miliardë pasagjerë krahasuar me 7.8 aktualisht, që do të thotë dyfishim i trafikut. Do të thotë që po kërkojmë aftësi të reja, forca të reja pune”, tha drejtori Ekzekutiv i Autoritetit të Aviacionit Civil Shqiptar, Maksim Et’hemaj.

Programi AMT nis në shtator dhe synon të krijojë brezin e parë të teknikëve të certifikuar të mirëmbajtjes së avionëve në Shqipëri, duke lidhur arsimin universitar me kërkesat konkrete të industrisë së aviacionit.

Top Channel