Palestinezët shtojnë kërkesat për azil, INSTAT: Aplikimet më të shumta në gusht-tetor, shtohen edhe heqjet dorë nga shtetësia shqiptare

06/07/2026 20:24

Luftërat, pasiguria dhe konfliktet vazhdojnë të shtyjnë mijëra njerëz të kërkojnë një vend të sigurt për të jetuar. Edhe pse nuk është ndër destinacionet kryesore në Evropë, Shqipëria po regjistron një rritje të numrit të personave që trokasin në derën e saj për të kërkuar azil. Në vitin 2025, sipas INSTAT-it, numri i azilkërkuesve arriti në 144 persona, me një rritje prej 38%.

Nga Lindja e Mesme e deri në Afrikën e Veriut, gjeografia e azilkërkuesve tregon se Shqipëria po hyn gjithnjë e më shumë në hartën e vendeve ku njerëzit kërkojnë strehim dhe mbrojtje.

Instituti i Statistikave bën të ditur se janë shtetasit egjiptianë ata të cilët udhëheqin kërkesat për azil në Shqipëri, me 39.6%, të pasuar nga afganët me 11.8%. Një tregues në rritje janë edhe refugjatët nga Palestina, të cilët po e shohin Shqipërinë si një vend gjithnjë e më të sigurt për të emigruar.

Një tjetër tregues që bie në sy është përqendrimi i aplikimeve në muajt e verës dhe në fillim të vjeshtës. Gushti, shtatori dhe tetori përbënin së bashku mbi 63% të të gjitha kërkesave për azil, çka lidhet edhe me lëvizjet sezonale të emigracionit dhe rrugët migratore në rajon.

Ndërsa më parë vinin kryesisht për sezonin e verës, vërehet edhe një rritje e përqendrimit të punësimeve sezonale jashtë sezonit. Të dhëna që tregojnë se kontratat e azilkërkuesve janë edhe më afatgjata.

Megjithëse numri i azilkërkuesve mbetet i kufizuar, tendenca në rritje tregon se Shqipëria nuk është më vetëm një vend tranziti. Në raste të caktuara, ajo po konsiderohet edhe si destinacion për kërkimin e mbrojtjes ndërkombëtare, duke shtuar përgjegjësitë e institucioneve për trajtimin e këtyre kërkesave.

Përveç të dhënave mbi azilin, publikimi i INSTAT-it evidenton edhe lëvizjet në shtetësinë shqiptare. Gjatë vitit 2025, 495 persona fituan shtetësinë shqiptare. Mbi gjysma e atyre që e fituan shtetësinë ishin me origjinë nga Kosova, ndërsa pasojnë Turqia, Maqedonia e Veriut dhe Italia.

Nga ana tjetër, teksa më shumë qytetarë fituan shtetësinë shqiptare, rreth 173 të tjerë hoqën dorë prej saj. Grupmosha 30 deri në 39 vjeç rezulton të jetë më e përfaqësuara, si te personat që fituan shtetësinë shqiptare, ashtu edhe te ata që vendosën të heqin dorë prej saj.

Edhe pse shifrat mbeten modeste, tendenca e vitit 2025 tregon se dinamika e migracionit po prek gjithnjë e më shumë edhe Shqipërinë, ndërsa institucionet përballen me nevojën për të menaxhuar një numër në rritje të kërkesave për mbrojtje ndërkombëtare dhe procedurave të lidhura me shtetësinë.

AZILKËRKUESIT NË 2025
144 PERSONA
+38%

GJEOGRAFIA E SHTETASVE QË FITUAN SHTETËSINË
56,1 % nga Kosova
20,1 % nga Turqia
4,8 % nga Maqedonia e Veriut
4,8 % nga Italia

LËNIA E SHTETËSISË SHQIPTARE
173 persona
Mosha 30-39 vjeç

AZILKËRKUESIT NË SHQIPËRI
Egjipt                    39,6 %
Afganistan            11,8 %
Palestinë               9,7 %

(Burimi: INSTAT)

Top Channel