Hapen regjistrimet për klasat e para dhe të dhjeta, Ministria e Arsimit: Respektoni afatet dhe rregullat e regjistrimit Në duar mban ende çekiçin e të atit, mjetin me të cilin mësoi zanatin që në rininë e hershme.
Prej asaj kohe e deri më sot, Bledar Hatiken e gjen gjithmonë në majë të çative të gurta të Gjirokastrës, duke restauruar me përkushtim një nga pasuritë më të çmuara të qytetit. Zanatin e gurgdhendësit e trashëgoi nga i ati.
Fillimisht punoi për disa vite në Greqi por u rikthye ne vendlindje Ai e konsideron këtë një profesion të vështirë, që kërkon përvojë, durim dhe përgjegjësi.
Çatitë e gurta janë shumë të rënda dhe çdo ndërhyrje duhet bërë me kujdes maksimal. Sipas tij, një gabim i vogël mund të rrezikojë jo vetëm çatinë, por edhe vetë muret e ndërtesës.
Firma e tij mban restaurimin e dhjetëra shtëpive monument kulture në qytetin e UNESCO-s, si edhe të çatisë së Xhamisë në Qafën e Pazarit, një nga monumentet më të rëndësishme të Gjirokastrës.
Megjithëse puna e tij vlerësohet nga vendasit dhe admirohet nga turistët e huaj, Bledari shpreh shqetësimin se ky zanat po mbetet pa trashëgimtarë. Ai beson se për ta ruajtur këtë profesion duhet të hapen kurse profesionale dhe shprehet i gatshëm të japë kontributin e tij për të mësuar brezin e ri.
Mbulimi i shtëpive me pllaka guri mbetet një nga simbolet më të veçanta të Gjirokastrës. Falë mjeshtërve si Bledar Hatiken, kjo traditë shekullore vazhdon të ruhet, duke mbajtur gjallë identitetin dhe historinë e qytetit të gurtë.
Top Channel