Heqja e naftës frenoi aplikimet, mbyllet skema kombëtare për bujqësinë, 29 mijë kërkesa më pak nga fermerët

06/07/2026 15:22

Heqja e naftës falas për bujqësinë nga Skema Kombëtare 2026 ka sjellë 29 mijë aplikime më pak këtë vit.

6 korriku shënon datën e fundit të aplikimeve për Skemën Kombëtare. Deri më tani, numri i aplikimeve ka shkuar në 41.706, nga 69.917 aplikime që ishin një vit më parë.

Nga 12 masa në total, numrin më të lartë të aplikimeve për subvencione e ka zëri i pagesës për sipërfaqe të mbjellë, i cili zëvendësoi atë të naftës. Numri total i fermerëve që kërkojnë mbështetje për këtë zë është 19.642. Ndërkohë, një vit më parë vetëm për naftën falas numri i aplikimeve ishte 53 mijë.

Ndërkohë, ajo që vihet re është se numri i aplikimeve ka pësuar rritje për zërat e blegtorisë, pasi ministri i Bujqësisë, Andis Salla, për vitin 2026 vendosi të ulë numrin e krerëve për përfitim. Kështu, 7.177 fermerë kërkojnë të marrin para për dele dhe dhi.

Gjithashtu vihet re se edhe komuniteti i bletarëve është rritur, duke bërë që numri i atyre që merren me bletari dhe kërkojnë ndihmë financiare nga shteti të shkojë në 6.923, kërkesë që ndiqet nga blegtorët e gjedhëve me 6.657 aplikime.

Ndërsa zëri që ka më pak interes, edhe pse është një hallkë e rëndësishme e sigurisë ushqimore, është ai i fermerëve që prodhojnë në formë organike dhe janë të pajisur me certifikatën Global GAP, me vetëm 14 aplikime.

Një tjetër risi e kësaj skeme është mbështetja për rritësit e derrave, ku numri i fermave që kërkojnë subvencione është 263.

Ndërkohë, numri i fermerëve të rinj që kërkojnë të investojnë në ferma me vlerë 10 milionë lekë është 267. Edhe pse kjo skemë u mirëprit në fillim, duket se procesi i dorëzimit të aplikimeve pranë AZHBR-së ka zbehur interesin e të rinjve për të përfituar financim nga qeveria për zgjerimin e fermave të tyre. Ndërkohë, 26 fermerë kërkojnë të ndërtojnë stane dhe 172 kërkojnë subvencione për makineri bujqësore.

Fondi i Skemës Kombëtare 2026 është 5.2 miliardë lekë, ndërkohë sipas burimeve për Top Channel, numri i aplikimeve parashikon që fondi të jetë i pamjaftueshëm, duke shkuar afërsisht në 7 miliardë lekë. Kjo pritet të detyrojë Ministrinë e Bujqësisë t’i kërkojë fonde shtesë nga buxheti i shtetit, i cili menaxhohet nga Ministria e Financave.

Top Channel