Live/ “Jeni shumë, bëni ç’të doni”! Dita e 35-të e tubimit. Protestuesit në shesh, tortë Ramës për ditëlindje: Merr edhe Saliun me vete. Rrethohet Kryeministria

04/07/2026 21:48

Sot mbahet dita e 35-të e tubimit në Tiranë.

Protestuesit janë mbledhur si gjithmonë në sheshin “Skënderbej” dhe më pas kanë marshuar drejt Kryeministrisë, aty ku do të mbajnë fjalën disa prej tyre.

Kësaj proteste i janë bashkuar edhe shqiptarë nga Diaspora, teksa në duar mbajnë pankarta të ndryshme si: “Mjaft më!”, “Rama jepe dorëheqjen”, “Rama n’burg, Berisha n’burg”, etj.

“Sali Berisha më vendosi emrin”, protestuesja nga Kanadaja mesazh kreut të PD: Unë u rrita në tokë të huaj, kumbari im notonte me paratë e Shqipërisë

Ndërkohë, disa prej tyre kishin përgatitur edhe një tortë për ditëlindjen e Edi Ramës, ku shkruhej: “Populli të uron dorëheqjen, merre edhe Saliun me vete”.

“Kanë 35 vjet që na trajtojnë si skllevër. Ne këta i njohim kush janë, i kemi njohur me kohë. Këta janë më keq se Lubia nuk ngopen. Ushqehen me mishin dhe kockat e shqiptarëve. Shqipëria e Shqiptarëve, vdekje tradhtarëve”, u shpreh ish-këshilltari i Berishës, Grid Rroji.

“Sot bëj thirrje që Altin Hila dhe të gjithë ata që janë burgosur të lirohen sa më shpejt. Dikush tjetër e meriton të jetë në burg, jo bijtë e nënave që dalin në protestë për të drejtën e tyre”, tha bashkëshortja e Altin Hilës.

“50 vjet dhunë. Boll më! Pushteti i ka mbyllur sytë, i ka mbyllur veshët, veç gojën e ka lënë me baltë. Lironi çunat! Mërgimi nuk është atdheu ynë”, tha aktori i ‘Marko from Tropoja’, Arben Bajraktaraj.

“Jeni aq shumë sa nuk marrim përsipër marshimin. Sheshi është i juaji. Bëni çfarë të doni”, u tha në fund të fjalimeve, teksa marshimi nisi rreth Kryeministrisë.

Top Channel