“Kadastra s’do të jetë më makth”, Rama: Mund të ndërrosh sa kryeministra të duash, por përmirësimet vijnë nga sistemi

03/07/2026 10:37

Kryeministri Rama foli sot në eventin e Edicionit të Tretë të Javës së Administratës Publike, me fokus Shërbimin Publik për një Shqipëri Europiane. Kryeministri vuri theksin te puna që po bëhet për luftën kundër korrupsionit në shëndetësi dhe te funksionimi digjital i shërbimeve, që kanë krijuar lehtësi të mëdha për qytetarët.

“Këta nuk janë shumica për fat të mirë, sepse ne nuk mjaftohemi vetëm me çfarë shikojmë nëpër raporte, ne bëjmë përpjekje për të kuptuar sesi funksionon administrate edhe kur është jashtë vëmendjen sonë, sesi funksionon një spital kur unë shkoj atje dhe përgatiten të gjithë se po shkoj unë apo ministrja. Ka edhe kontrolle të pa lajmëruara nga ministrja dhe nuk rezulton se në spitale normalja është kjo që thashë unë për atë mjekun.

Nuk ka nevojë të tërhiqen zvarrë njerëzit që kanë diçka për të thënë. Mjafton të ndodhë me njërin, siç ndodhi në atë momentin skandaloz, kjo rezonon te të tjerët. Kjo nëna këtu nuk tërhiqet zvarrë, por ndihet ashtu, sepse këtë e bën ai mjeku aty, të cilit nëna i kërkon shërbimin minimal. Ta konstatosh dhe të jesh i vetëdijshëm për këtë është e rëndësishme dhe prandaj unë jam gjithnjë në përpjekje për të parë jashtë rrethit të ngushtë.

Por të veprosh për ta ndryshuar këtë, nuk është një përpjekje aq e lehtë. Nuk është si ajo varja me litar, siç ka nisur të dëgjohet nga një segment që e njohim tashmë. Duhet që sistemi të të mbrojë. Ajo që sot po ndodh në Shqipëri është që sistemi për herë të parë po lufton me korrupsionin, është komplet e kundërta me atë që thuhet badihava. Është njësoj si një therje në sytë e të gjithëve që krijon neveri, pisllëk, turbulli.

Po hyhet aty ku nuk është hyrë kurrë, që nga krijimi i shtetit shqiptar. Kjo nuk është një arsye për të kërkuar gijotinën, sepse të gjitha sistemet që përfunduan në ferr për popujt që u ekzaltuan nga ideja e drejtësisë së aty për atyshme dhe që shkuan te plumbi ballit, na kanë mësuar që kjo e demokracisë dhe ndërtimit të një sistemi që garanton gjithkënd, është e vetmja rrugë për të garantuar brezat. Po zgjatem në këtë pikë, se dua të jem shumë i qartë me të gjithë nga eksperienca ime.

E kam sot mundësinë që nga maja e kësaj eksperience, në fund të ditës e rëndësishme për shtetndërtimin nuk është episodi, por tërësia e hapave që hidhen me durim dhe pa zhurmë. Episodet e zhurmshme ndihmojnë, por nuk bëjnë sistemin.  Shqipëria sot ka fatin të jetojë në epokën e AI dhe teknologjisë. Franca ka një administratat më të strukturuara në planet, por për të ardhur aty Franca ka prerë koka e ka derdhur lumenj gjaku, e ka djegur e shkatërruar veten për shumë e shumë kohëra.

E njëjta është edhe për vendet që janë sot avantgardë për shtetndërtimin. Ne jemi nga fillimi, ama kemi digjitalizimin, që na bëri një gjë të madhe që njerëzit sot e kanë harruar. Pjesa dërrmuese e të rinjve që ndjehen të papërfillur, nuk e dinë që ka ekzistuar. Digjitalizimi na hoqi radhën për një copë letre. Të gjithë ata që janë jashtë vendit kanë në shërbim shtetin e tyre nga telefoni.

Pushimet e emigrantëve deri para ca vitesh ishin mes plazhit dhe sporteleve. Brenda fatit kemi digjitalizuar komplet kadastrën. Tani vjen faza tjetër, ajo e ndërtimit të sistemit që do ta bëjë Kadastrën njësoj si shërbimet e tjera që nuk janë problem. Do të iki nga jeta e shqiptarëve edhe ky makth i Kadastrës, që kërkon një punë milingonash për të mbledhur bashkë të gjitha copat dhe çikat e shumë proceseve të deformuara.

Sot Shqipëria po punon për të pasur programin e parë AI për prokurorimet publike. Po punojmë me disa fuqi të mëdha për ta realizuar këtë produkt dhe nëse do të jetë i suksesshëm do të testohet vitin e ardhshëm dhe do të hyjë në punë në vitin 2028. Mund të ndërrosh sa kryeministra të duash, por përmirësimet e qëndrueshme vijnë vetëm nga sistemi. Njerëzit që ngarkohen me këto detyra dallohen pikërisht këtu: kush beson te sistemi dhe te rëndësia e tij, dhe kush nuk ia kupton fare rëndësinë.

Kjo është ajo që besoj se është thelbi i gjithë përpjekjes që bëjmë sot dhe ka të bëjë me sistemin. Teknologjia do të ndihmojë në shumë aspekte, veçanërisht në fusha që janë vulnerabël, si shëndetësia dhe arsimi.

Sot ne kemi një sërë procesesh në arsim që nuk kanë më probleme. U zhvillua Matura Shtetërore dhe nuk u dëgjua më asgjë nga ato që ndodhnin më parë, kur bëhej nami. Shumë procese në arsim tashmë janë mekanizma të konsoliduar. Këtë e bëjnë negociatat dhe ndërveprimi i vazhdueshëm me Bashkimin Evropian dhe Komisionin Evropian”, tha Rama mes të tjerash.

Top Channel