IA pa rregulla në Ballkan, analiza: Po përdorin Inteligjencën Artificiale pa një kuadër të plotë ligjor

03/07/2026 12:45

Një analizë e re tregon se vendet e Ballkanit Perëndimor po e përdorin gjithnjë e më shumë inteligjencën artificiale në administratën publike, por pa një kuadër ligjor të plotë që ta rregullojë këtë proces.

Në Bosnje dhe Hercegovinë, Kosovë, Mal të Zi dhe Serbi mungojnë ligje të posaçme për përdorimin e chatbote-eve apo sisteme të tjera të AI, e në shumicën e rasteve nuk ekzistojnë as rregulla të brendshme dhe as evidencë e qartë për mënyrën se si përdoren këto teknologji, shkruan Radio Europa e Lirë, në një kohë përdorimi i tyre është tashmë real dhe masiv.

Vendet e rajonit janë në faza të ndryshme përafrimi me standardet e Bashkimit Europian, i cili ka miratuar Aktin për Inteligjencën Artificiale (AI Act)- ligji i parë gjithëpërfshirës në botë për këtë fushë. BE-ja parashikon ndalim të disa përdorimeve dhe rregulla të rrepta për sigurinë, transparencën dhe mbrojtjen e të dhënave. Në Bosnje dhe Hercegovinë, disa institucione lejojnë përdorimin e kufizuar të AI-it vetëm për detyra teknike, por ndalojnë futjen e të dhënave personale ose sekrete në platformat publike.

Në Kosovë, përdorimi zyrtar është ende i kufizuar, por po testohen zgjidhje digjitale dhe po punohet për harmonizim me rregullat e BE-së. Mali i Zi dhe Serbia janë më të avancuara në përdorimin praktik të IA-së në shërbime publike, përfshirë chatbotë në administratën tatimore dhe portale qeveritare, ndërsa po përgatisin edhe korniza ligjore të reja. Ekspertët paralajmërojnë se mungesa e rregullave rrit rrezikun për keqpërdorim të të dhënave personale dhe sigurisë së informacionit.

Ata theksojnë se AI mund të ndihmojë në përshpejtimin e punës, por përgjegjësia përfundimtare mbetet gjithmonë te njeriu që e përdor.

Top Channel