Në Korenë e Jugut është zhvilluar një nga garat më të pazakonta të futbollit në botë. Në qytetin Incheon, robotë humanoidë të pajisur me inteligjencë artificiale kanë zbritur në fushë në kuadër të RoboCup, turneut më të madh botëror të robotikës, ku synimi afatgjatë është që deri në vitin 2050 një ekip robotësh plotësisht autonom të mundë kampionët e Botërorit të FIFA-s.
Ndryshe nga robotët e telekomanduar, këta lojtarë marrin vendime vetë gjatë ndeshjes. Ata lëvizin, pasojnë, gjuajnë dhe reagojnë sipas situatave në fushë, ndërsa ndërhyrja e njerëzve kufizohet vetëm në transmetimin e komandave të arbitrit, si “ndalo” dhe “vazhdo”.
Gjatë ndeshjeve nuk munguan as emocionet. Një robot shënoi gol mes duartrokitjeve të spektatorëve, ndërsa një tjetër bëri faull ndaj portierit, duke e rrëzuar në tokë dhe duke shkaktuar të qeshura në tribunë.
Turneu RoboCup, i themeluar në Japoni në vitin 1997, është zgjeruar përtej futbollit, duke përfshirë edhe robotë për shpëtim, shërbime shtëpiake dhe industri. Megjithatë, futbolli mbetet sfida më ambicioze për zhvillimin e inteligjencës artificiale dhe robotikës.
Vizitorët u shprehën të befasuar nga niveli i lojës. Shumë prej tyre pranuan se, edhe pse robotët nuk lëvizin ende si njerëzit, ndeshjet ishin argëtuese dhe krijonin të njëjtën ndjenjë rivaliteti si futbolli tradicional. Disa madje nisën të mbështesnin skuadrat sipas ngjyrave dhe numrave të lojtarëve.
Profesorët që punojnë në këtë projekt besojnë se futbolli i robotëve do të kthehet në një sport më vete. “Në Kupën e Botës mund të kesh vetëm një Lionel Messi. Por sapo të ndërtosh një robot Messi, mund të ndërtosh mijëra të tillë”, tha profesori Shim In-wook.
Top Channel