AfD ndez alarmin në Gjermani, Erfurti blindohet për kongresin e partisë, priten protesta për eventin e ekstremit të djathtë

03/07/2026 11:42

Gjermania është në gjendje gatishmërie përpara kongresit federal të partisë së djathtë Alternativa për Gjermaninë që mbahet më 4 dhe 5 korrik në Erfurt.

Në përgjigje ndaj komenteve dhe qëndrimit përgjithësisht armiqësor të AfD-së ndaj diversitetit shoqëror, disa koalicione po organizojnë protesta kundër kongresit të partisë në kryeqytetin e Turingisë.

Autoritetet presin rreth 50 mijë protestues, ndërsa mijëra policë janë angazhuar për të garantuar sigurinë gjatë tubimeve. Protestat organizohen nga një koalicion i gjerë i shoqërisë civile, ku bëjnë pjesë kisha, sindikata, organizata për të drejtat e njeriut, parti politike dhe klube sportive, teksa nuk mungojnë thirrjet për bllokimin e zhvillimit të kongresit. Përveç protestave, kongresi pritet të shoqërohet edhe me një betejë të fortë për ndikimin brenda partisë. Dy bashkëkryetarët aktualë, Alice Weidel dhe Tino Chrupalla, pritet të rizgjidhen, ndërsa gara për postet e tjera drejtuese konsiderohet vendimtare për drejtimin e ardhshëm të AfD-së.

Kongresi zhvillohet në një klimë të tensionuar edhe pas deklaratave të fundit të disa drejtuesve të partisë, të cilët u akuzuan për komente raciste ndaj lojtarëve të ekipit kombëtar gjerman të futbollit. Ndërkohë, debati për një ndalim të mundshëm të kesaj force politike, mbetet i hapur në Gjermani. Një raport i publikuar së fundmi nga juristë të së drejtës kushtetuese e cilëson partinë si antikushtetuese, ndërsa disa forca politike kanë kërkuar nisjen e procedurave për ndalimin e saj.

Pavarësisht polemikave, AfD ka vazhduar ta rrisë mbështetjen elektorale, veçanërisht në Gjermaninë Lindore, ku synon të fitojë drejtimin e disa landeve në zgjedhjet rajonale të shtatorit.

Top Channel