Live/ Dita e 33-të e protestës në Tiranë, nismëtari thirrje qytetarëve pas tensioneve te Kuvendi: Mos u provokoni, revolucion paqësor
E larguar nga radhët e Partisë Socialiste, deputetja Marjana Koçeku ka reaguar pas tensioneve të zhvilluara ditën e sotme mes protestuesve, deputetëve dhe uniformave blu para Kuvendit.
Me anë të një postimi në Facebook, Koçeku shprehet krah protestuesve të cilët ditën e sotme sulmuan me vezë deputetët ndërsa hynin e dilnin nga seanca plenare.
Koçeku shkruan se policia ushtroi dhunë ndaj protestuesve, duke shtuar se një shtet që u përgjigjet pakënaqësive të qytetarëve me dhunë, demonstron pafuqi.
“Kam ndjekë me shqetësim sot dhunën policore të ushtrueme mbi protestuesit. Më vjen keq që i vetmi komunikim dhe mesazh politik që ky pushtet mundet me u ofru protestuesve asht dhuna.
Kur argumentet i mbarojnë nji shteti, mbesin vetëm shkopi i gomës, prangat dhe çizmja e policit.
Por asnji pushtet nuk e ka zgjatë jetën e vet tu i goditë qytetarët që kërkojnë me u dëgjue.
Merrni datat ma kyçe të historisë dhe do shihni se këtë e kena dëshmue çdo herë.
Nji shtet që zgjedh me iu përgjigjë pakënaqësisë qytetare me dhunë, nuk po demonstron forcë; po demonstron pafuqinë e vet për me bindë”, shkruan Koçeku.
Top Channel