“Do të dilnit në protestë nëse s’do ishit Kryeministër?”/ Rama për DW: Nuk mund të çohesh një ditë dhe të kërkosh dorëheqjen, prit zgjedhjet e tjera

02/07/2026 19:30

Kryeministri Edi Rama ka komentuar protestat që po zhvillohen në vend, duke u pyetur nëse do të ishte edhe vetë pjesë e tyre në rast se nuk do të ishte në krye të qeverisë.

Në një intervistë për Deutsche Welle, Rama tha se nuk do të protestonte duke u bazuar në faktet reale, ndërsa theksoi se qeveritë nuk rrëzohen për shkak të pakënaqësive të momentit.

Sipas tij, qytetarët duhet të presin zgjedhjet e ardhshme për të shprehur vullnetin e tyre me votë.

Gazetarja: Nëse Edi Rama nuk do të ishte në petkun e Kryeministrit, do të kishte dalë të protestonte për spitale më të mira, për ikjen e trurit që vazhdon prej vitesh, për një sistem, për një administratë më të mirë të cilën e akuzuat para pak ditësh, e fajësuat të themi si përgjegjëse?

Edi Rama: Unë nuk kam arsye për të menduar që do të dilja aty, nëse do të bazohesha në faktet dhe në informacionin e vërtetë. Nëse do bazohesha në të gjitha llojet e manipulimeve, gënjeshtrave dhe amplifikimeve, patjetër do dilja edhe unë aty. Por faktet dhe informacioni i vërtetë është ndryshe. Pastaj shëndetësia, arsimi edhe të gjithë të tjerat kanë problemet që kanë. Problemet nuk lindën ditën që filloi protesta, problemet kanë qenë aty, janë shtruar në rrugën e zgjidhjes, janë zgjidhur pjesërisht. Dhe për të çuar përpara zgjidhjen e tyre kemi marrë mandatin e popullit shqiptar me shumicën më të madhe ndonjëherë që kur unë udhëheq Partinë Socialiste. Kështu që nuk mundet dot që të çohesh një ditë të bukur dhe të thuash që “unë dua shëndetësi më të mirë dhe kjo qeveri duhet të ikë”. Nuk funksionon. Duhet të presësh kur të vijnë zgjedhjet e tjera.

Top Channel