Fiks Fare/ Kampioni i peshëngritjes lihet pas dere në Lushnjë, e lënë pa “bukë”. Pas interesimit i lidhin pagë

29/06/2026 20:58

Fiks Fare denoncoi trajtimin ndaj një kampioni kombëtar të peshëngritjes, i cili është lënë pas dere dhe pa “bukë”, pasi Bashkia e Lushnjes nuk e ka trajtuar financiarisht, megjithëse i takon me ligj.

Grupi i emisionit investigativ udhëtoi në Lushnjë, pas denoncimit të peshëngritësit, Laurenc Hasko, kampion i Shqipërisë në peshën 65 kg.

Në datën 15 dhjetor 2021, qeveria miratoi vendimin me numër 789 për mënyrën e shpërblimit dhe trajtimit të sportistëve. Në pikën 8 saktësohet se, sportistët e nivelit të lartë dhe trajnerët e tyre, pjesëmarrës në veprimtaritë kombëtare, kampionë, përfitojnë trajtim ushqimor si dhe trajtim mjekësor.

Në pikën 9 është përcaktuar se, trajtimi ushqimor është jo më pak se 2.500 lekë në ditë, për 25 ditë. Pra, 62.500 lekë në muaj. Kohëzgjatja e pagesës është 1 vit, deri në zhvillimin e kampionatit të ardhshëm. Nëse rishpallet kampion kombëtar, shpërblimi vijon vitin pasardhës.

Ndërkohë, ky vendim është rishikuar nga qeveria në muajin prill të vitit 2026, ku trajtimi ushqimor ka shkuar në 3.500 lekë në ditë. Në muaj, sportisti kampion kombëtar duhet të marrë 87.500 lekë. Laurenci është shpallur kampion në shtator 2025 dhe në mars 2026, teksa duhet të paguhet me 2.500 lekë dita. Por, as këto para nuk i ka marrë!

Laurenci thotë se ka dalë kampion i Shqipërisë për 2 vite rresht, teksa ka marrë vetëm një shpërblim në masën 100 mijë lekë për vendin e parë. Por vendi i parë duhej të shoqërohej me një pagë fikse mujore, që varionte deri në 62 mijë lekë, për trajtimin ushqimor.

Ai thotë se është nga fshati Kosovë e Vogël në Lushnje dhe çdo ditë bën mbi 20 kilometra për të shkuar në Lushnje e për të bërë stërvitje. Me sakrifica të tij dhe familjes po vijon të merret me peshëngritje, ku nuk kanë munguar edhe rezultatet

“Për të vijuar me peshëngritjen kam bërë punë me babin në Kroaci e vende të tjera. Ai është elektricist dhe e kam ndihmuar. Mua më kanë dhënë vetëm 1 shpërblim 100 mijë lekë për garën e vitit të kaluar. Kam bërë një garë para disa javësh, në muajin maj 2026, ku kam dalë i pari në peshën time, dhe s’më kanë dhënë asnjë shpërblim” thotë ai.

Ka shkuar mbi 1 muaj rresht në bashki dhe askush nuk e ka takuar. “Kam kërkuar të takoj kryetaren dhe më ka sorollatur. Më thotë do të takoj, e pres dhe më vonë mësoj se ka dalë nga dera tjetër. Vetëm më sorollasin. T’më japin atë që më takon” thotë ai.

Bashkë me Laurencin, grupi i Fiks Fare shkon për t’u interesuar në Bashkinë e Lushnjës. Pas më shumë se 3 orësh, askush nuk e pret Laurencin. Ndërkohë që gjatë qëndrimit të gjatë në ambientet e Bashkisë së Lushnjës, peshëngritësin Laurenc Hasko e telefonon Presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes Elez Gjoza, duke i thënë se mos të flasë me mediat, pasi Federata ka miratuar një vendim që i ndalon sportistët të japin deklarata.

Fiksi telefonon z. Gjoza duke i kërkuar informacion se përse e ka kërcënuar Laurencin, ndërsa ai përgjigjet se atë e ka telefonuar trajneri i ekipit të Lushnjes duke i thënë problemin. Gazetarët i bëjnë me dije se mënyra dhe koha ishte e papërshtatshme, pasi peshëngritësi kërkonte atë që i takon. Ai thotë se Laurencin i takon paga dhe shpërblimi dhe se do të interesohet.

“Mua më ka marrë Amarildo trajneri dhe më ka thënë teksualisht që filan fisteku do të bëjë një prononcim në media. I thashë ma jep ta marr unë një çik në telefon dhe e mora Lencin një djalë shumë i mirë. Unë i thashë një vendim të Asamblesë. Ai zotëria duhet të vijë te mua”, pohon Gjoza.

Pas kësaj intervistë, Fiks Fare iu drejtua me një kërkesë për informacion Bashkisë së Lushnjës. Kryetarja e Bashkisë i shkruan grupit të Fiks Fare se në vitin 2025 dhe 2026 peshëngritësi ka përfituar mbështetje financiare në masën 100 mijë lekë të reja, si vendi i parë në kampionatet kombëtare.

Më tej pohon se, në çdo rast janë në kontakt me Federatën Shqiptare të Peshëngritjes, për të gjetur edhe forma alternative mbështetje për ekipin në tërësi dhe sportiste te ndryshëm, në rast se FSHP gjykon se kemi të bëjmë me sportistë shumë premtues, për rezultate të larta në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.

Një ditë më pas, grupi i Fiks Fare së bashku me peshëngritësin Laurenc Hasko shkojnë në Federatën Shqiptare të Peshëngritjes. Fillimisht, presidenti Gjoza bezdiset nga prania e grupit të Fiks Fare dhe më pas, gjatë intervistës ul tonet dhe thotë se Haskos i takon shpërblimi dhe trajtimi ushqimor, por bashkitë nuk e zbatojnë. Thotë se do të flasë me kryetaren e Bashkisë së Lushnjës, Eriselda Sefa, madje do t’a takonte 1 ditë pas interesimit tonë.

Një ditë më pas, Presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, ka shkuar në Bashkinë e Lushnjës, për mbështetjen e sportistit. Elez Gjoza tha për Fiks Fare se ajo bashki do të zbatojë VKM-në dhe do të trajtojë financiarisht peshëngritësin.

Top Channel