Një ushtar izraelit është vrarë në Libanin jugor pas një shkëmbimi zjarri me një person të armatosur të Hezbollahut, njoftoi ushtria izraelite.
Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) identifikuan viktimën si kapitenin David Hazutt. Sipas ushtrisë, ai u përball me një luftëtar të Hezbollahut pasi hyri në një “strukturë të dyshimtë” pranë zonës Deir Seryan.
Në përleshje mbeti i vrarë ushtari izraelit, ndërsa një tjetër u plagos lehtë. IDF tha se operacioni për gjetjen e personit të armatosur vijon, ndërsa ushtria ka kryer sulme në zonë.
Ky incident vjen vetëm dy ditë pas nënshkrimit të një marrëveshjeje të re kornizë në Uashington, e cila është cilësuar si një hap drejt një marrëveshjeje më të gjerë paqeje mes Izraelit dhe Libanit.
Sipas ushtrisë izraelite, 38 ushtarë janë vrarë në Libanin jugor ose në veri të Izraelit që prej fillimit të konfliktit katër muaj më parë.
Ndërkohë, agjencia shtetërore libaneze e lajmeve raportoi për sulme izraelite pranë Deir Seryan dhe Taybeh në jug të Libanit, si dhe për përdorimin e një municioni thërrmues pranë zonës Shebaa, afër kufirit mes dy vendeve.
Izraeli ka rënë dakord të tërhiqet nga disa zona në jug të Libanit ku ka zhvilluar operacione kundër militantëve të Hezbollahut, si pjesë e marrëveshjes së re.
Top Channel