Në një botë futbolli ku gjithçka duket e parashikueshme, Ronaldinho gjen sërish mënyrën për të na surprizuar.

Në moshën 46-vjeçare, legjenda braziliane e futbollit ka konfirmuar zyrtarisht bashkëpunimin me Ravenna FC, klubin italian që militon në Serinë C, duke ndezur shpresat e tifozëve për ta parë sërish atë “të kërcejë” me topin në këmbë.

Ndryshe nga sa spekulohej se roli i tij do të ishte thjesht përfaqësues ose për marketing, fituesi i Topit të Artë ka konfirmuar për “Flashscore” se rikthimi i tij në fushë nuk është thjesht një strategji marketingu. “Po, është e vërtetë! Le të themi se është një sfidë edhe për mua. Unë sigurisht që do të luaj disa minuta në një ndeshje zyrtare, pastaj do të shohim se si do të ndihem,” – u shpreh braziliani, duke lënë të hapur mundësinë për një rikthim emocionues në futbollin aktiv.

Lidhja me klubin e Ravenës, e drejtuar nga Ignazio Cipriani, nisi si një miqësi e thjeshtë, por shpejt u shndërrua në një projekt ambicioz që synon ta kthejë ekipin italian në vëmendjen globale. Pavarësisht viteve që kanë kaluar që nga pensionimi i tij në vitin 2015, karizma e Ronaldinhos mbetet e pandryshuar. Përtej minutave që mund të dhurojë në fushë, ardhja e tij është një “grusht shteti” mediatik për një klub të Serisë C, duke dëshmuar edhe një herë se “Joga Bonito” nuk njeh moshë, por vetëm pasion.

Top Channel