Në Varrezat Monumentale “Trëndafilat e Çamërisë”, në Kllogjer të Bashkisë Konispol, u përkujtua 82-vjetori i gjenocidit grek ndaj popullsisë shqiptare të Çamërisë.
Ceremonia u organizua nga Bashkia Konispol dhe mblodhi përfaqësues të institucioneve, shoqatave çame, politikës, si dhe qindra pjesëmarrës nga Shqipëria, Kosova dhe diaspora.
Të pranishmit nderuan kujtimin e mijëra shqiptarëve të Çamërisë që humbën jetën gjatë ngjarjeve tragjike të vitit 1944, ndërsa në fjalët përshëndetëse u theksua rëndësia e ruajtjes së kujtesës historike dhe angazhimit për çështjen çame.
Më pas përshëndeti deputeti Ardit Bido, i cili u ndal te trajtimi i çështjes çame si një çështje shtetërore dhe kombëtare.
Në aktivitet folën edhe përfaqësues të shoqatave “Çamëria” nga Shkodra dhe Kosova, të cilët vlerësuan rëndësinë e ruajtjes së identitetit dhe kujtesës historike.
Momente prekëse sollën dëshmitë e pasardhësve të familjeve çame, të cilët rrëfyen historitë e dhimbshme të dëbimit dhe humbjes së të afërmve.
Kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, theksoi rëndësinë e vazhdimit të përpjekjeve për zgjidhjen e çështjes çame dhe rolin e shtetit shqiptar në këtë proces.
Ndërsa kryetari i nderit i PDIU-së, Tahir Muhedini, kërkoi ngritjen e një memoriali edhe në Çamëri në kujtim të viktimave.
Ceremonia u mbyll me vendosjen e kurorave me lule pranë Memorialit të Viktimave të Gjenocidit në Kllogjer.
Top Channel