NATO me investime rekord, Rutte: Dhjetëra miliarda dollarë për mbrojtjen

26/06/2026 15:16

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, bëri të ditur se aleanca po planifikon kontrata të reja në fushën e mbrojtjes me vlerë dhjetëra miliarda dollarë dhe do t’i paraqesë gjatë samitit të muajit të ardhshëm në Ankara.

Nisma vjen në një kohë kur vendet anëtare po intensifikojnë përpjekjet për të rritur prodhimin ushtarak dhe për të përforcuar kapacitetet e mbrojtjes kolektive.

Gjatë fjalës së tij në aktivitetin “Front Page” të Këshillit Atlantik në Uashington, Rutte theksoi se NATO duhet ta shfrytëzojë më mirë potencialin e saj ekonomik për të ndërtuar aftësi më të mëdha ushtarake, përballë sfidave në rritje të sigurisë globale.

“Duhet të sigurohemi që fuqia jonë ekonomike po shndërrohet në kapacitete ushtarake. Kjo kërkon bashkërendim më të madh mes industrive të mbrojtjes në të dy anët e Atlantikut, ulje të pengesave burokratike, si dhe vendosjen e inovacionit në qendër të zhvillimit të sektorit të mbrojtjes në të gjithë aleancën”, tha Mark Rutte

Rutte nënvizoi se samiti i NATO-s, i planifikuar për 7 dhe 8 korrik në Ankara, do të shërbejë si një platformë për të prezantuar përparimin në bashkëpunimin industrial dhe zgjerimin e kapaciteteve prodhuese. Shefi i NATO-s përsëriti gjithashtu angazhimin e aleancës për mbështetjen e Ukrainës, duke konfirmuar se presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, do të jetë pjesëmarrës në samitin e Ankarasë.

“Presidenti Zelensky do të jetë me ne në Ankara. Ne duam t’i tregojmë atij dhe popullit ukrainas se mbështetja jonë mbetet e palëkundur, si dhe t’i bëjmë të qartë presidentit Putin se NATO nuk do të tërhiqet”, tha Rutte.

Top Channel