Festa e Ashures, besimtarët bektashinj kremtuan një nga ditët më të rëndësishme të kalendarit

26/06/2026 19:48

Besimtarët bektashinj kremtuan këtë të premte Ditën e Ashures, një nga ngjarjet më të rëndësishme shpirtërore të këtij kalendari fetar.

Në Kryegjyshatën Botërore u mblodhën besimtarë të shumtë, të cilët u lutën për paqe e mirësi. Në mesazhin e tij, kryegjyshi botëror i bektashinjve, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, vuri theksin te ndalja e konflikteve në botë.

“Në këto ditë të Ashures, lutjet tona shkojnë gjithashtu për të gjithë popujt që vuajnë nga ëërat, konfliktet dhe trazirat në mbarë botën. Ashtu si fusha e Qerbelasë dëshmoi sakrificën e atyre që qëndruan përballë padrejtësisë, edhe sot njerëzimi ka nevojë për më shumë drejtësi, më shumë dhembshuri dhe më shumë paqe.

Le të lutemi që Zoti i Madhëruar të ndriçojë zemrat e njerëzve me urtësi, të largojë urrejtjen e përçarjen, të sjellë siguri për familjet e prekura nga ëa dhe të forcojë frymën e vëllazërisë mes kombeve. Le të jetë Ashurja jo vetëm një kujtim i dhimbjes së Qerbelasë, por edhe një burim drite e shprese, që na frymëzon të bëhemi bartës të paqes, dashurisë dhe mirësisë, duke dëshmuar me veprat tona mësimet e pavdekshme të Imam Aliut, Imam Hasanit dhe Imam Hysenit (paqja qoftë mbi ta)”, u shpreh Baba Mondi.

Në ceremoninë në Kryegjyshatën Botërore, Baba Mondi përcolli një mesazh të fortë paqeje dhe solidariteti.

“Le të mbështesim njëri-tjetrin dhe të ruajmë vlerat e familjes dhe besimit. Lutjet tona shkojnë për ata që vuajnë nga luftërat. Sot njerëzimi ka nevojë për më shumë paqe dhe dhembshuri. Zoti i ndriçoftë zemrat me urtësi dhe të forcojë frymën e vëllazërisë mes kombeve. Zoti na ndriçoftë mendjen me këto ditë që po përjetojmë. Zoti na bekoftë të gjithëve, amin”, përfundoi Baba Mondi fjalën e tij.

Ndërsa bëri thirrje për bashkimin mes njerëzve dhe më shumë mbështetje, kryegjyshi botëror nënvizoi se njerëzimi sot ka nevojë më shumë se kurrë për dhembshuri dhe harmoni.

Top Channel