Manjati i Porsche tërhiqet nga projekti i “tunelit për një person” në Salzburg, vila nxirret në shitje pas protestave dhe debatit për pabarazinë sociale
Gjykata Rajonale e Magdeburgut, në Gjermani, ka dënuar me burgim të përjetshëm Taleb Al Abdulmozen, duke e shpallur fajtor për sulmin vdekjeprurës në tregun e Krishtlindjeve në qytetin e Magdeburgut, ku humbën jetën gjashtë persona dhe mbi 300 të tjerë mbetën të plagosur.
Sulmi ndodhi më 20 dhjetor 2024, kur 51-vjeçari me origjinë nga Arabia Saudite, të cilit i ishte dhënë azil në Gjermani, drejtoi një furgon me qira drejt turmës së vizitorëve në tregun e Krishtlindjeve në qendër të Magdeburgut. Si pasojë e sulmit humbën jetën një djalë 9-vjeçar dhe pesë gra, ndërsa më shumë se 300 persona u plagosën, disa prej tyre në gjendje të rëndë.
Autori u arrestua në vendngjarje menjëherë pas sulmit.
Sipas Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm, Al Abdulmozen e kishte planifikuar sulmin prej kohësh, por nuk veproi për motive ideologjike. Hetimet treguan se ai ishte udhëhequr kryesisht nga motive personale.
“I pandehuri ishte dhe mbetet i interesuar vetëm për veten e tij”, deklaroi psikiatri që kreu ekspertizën mjekoligjore, duke shtuar se ai vuan nga një “çrregullim narcisist i personalitetit” dhe ka një “nevojë të madhe për vëmendje”.
Taleb Al Abdulmozen kishte mbërritur në Gjermani në vitet 1990, ku fitoi statusin e azilit. Ai ishte diplomuar si mjek në Arabinë Saudite dhe më pas kishte përfunduar specializimin si psikiatër në Gjermani.
Deri pak para sulmit, ai punonte si psikiatër në një institucion të mbyllur psikiatrik për autorë veprash penale me probleme të shëndetit mendor në Bernburg, në landin e Saksoni-Anhaltit.
Vitet e fundit ai ishte paraqitur publikisht si aktivist për të drejtat e grave në Arabinë Saudite dhe kishte qenë i përfshirë në mosmarrëveshje me një organizatë që ndihmon refugjatët.
Me vendimin e Gjykatës Rajonale të Magdeburgut, 51-vjeçari është dënuar me burgim të përjetshëm për një nga sulmet më të rënda që tronditi Gjermaninë në vitet e fundit.
Top Channel