Deputeti socialist dhe kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, ka reaguar lidhur me debatet dhe protestat që kane shoqëruar projektin turistik në Zvërnec, duke e krahasuar atë me një nga investimet më të mëdha që po realizohen aktualisht në Britaninë e Madhe.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Manja argumenton se investimet strategjike të huaja duhet të vlerësohen për potencialin e tyre ekonomik dhe ndikimin në zhvillimin e vendit, ndërsa debati publik duhet të fokusohet te standardet, transparenca dhe përfitimet për komunitetin.
Duke sjellë si shembull projektin “Universal United Kingdom Resort”, ai thekson se vendet e zhvilluara nuk i refuzojnë investimet e mëdha, por i rregullojnë dhe i vënë në funksion të interesit publik. Sipas Manjës, edhe Shqipëria duhet të ndjekë të njëjtën qasje në raport me projektet strategjike që synojnë tërheqjen e kapitalit të huaj.
“Ka raste kur një lajm nga jashtë të ndihmon të kuptosh më mirë debatin brenda vendit tënd. Këtë javë, Britania e Madhe konfirmoi zyrtarisht ndërtimin e Universal United Kingdom Resort, parkut të parë tematik të Universal në Evropë. Një investim amerikan që qeveria britanike e konsideron historik, jo vetëm për turizmin, por për të gjithë ekonominë e vendit.
Le të shohim faktet.
Universal United Kingdom Resort
* Mbi 6 miliardë paund investim privat amerikan.
* 1.3 miliardë paund investim publik për rrugë, hekurudha dhe infrastrukturë.
* Rreth 28 mijë vende pune.
* Mbi 8 milionë vizitorë në vit.
* Rreth 50 miliardë paund ndikim ekonomik të parashikuar deri në vitin 2055.
* Park tematik, hoteleri, qendra argëtimi, restorante, hapësira tregtare dhe transformim i plotë ekonomik i rajonit.
Tani le të shohim projektin shqiptar.
Zvërnec South Adriatic Development
* 4.8 miliardë euro investim i parashikuar.
* Rreth 251 hektarë territor privat, objekt zhvillimi.
* Një nga projektet turistike më të mëdha të konceptuara ndonjëherë në Shqipëri.
Për momentin nuk ka një projekt publik, është në punë e sipër. Nuk kemi ende në dorë një studim të plotë fizibiliteti dhe, për rrjedhojë, nuk dihen ende me saktësi numri i vendeve të punës, ndikimi fiskal apo efektet ekonomike afatgjata. Pikërisht për këtë arsye, debati duhet të përqendrohet te këto elemente dhe jo të nisë me refuzimin apriori të investimit.
Këtu mbarojnë ngjashmëritë.
Universal UK Resort vs. Zvërnec Development: Çfarë e ndan debatin tonë nga ai britanik?
Në Britani pothuajse askush nuk po debaton nëse duhet apo jo të ndërtohet Universal Resort. Debati është krejt tjetër:
* Si të përfitojë më shumë komuniteti lokal.
* Si të mbrohet mjedisi.
* Si të krijohen më shumë vende pune.
* Si të përmirësohet infrastruktura.
* Si të maksimizohet ndikimi ekonomik.
Askush nuk del në rrugë me pankarta ku shkruhet: “Britania nuk është në shitje.” Askush nuk kërkon të dëbojë investitorët amerikanë. Askush nuk organizon protesta katërjavore kundër kapitalit të huaj. Askush nuk e quan zhvillimin tradhti kombëtare.
Sepse britanikët kanë një kulturë shtetformuese të ndërtuar mbi një parim të thjeshtë: investimet e mëdha nuk janë problem. Problemi është vetëm mënyra se si menaxhohen ato.
“Revolucioni i Flamingove” dhe realiteti shqiptar
Dhe tani le të vijmë në Shqipëri. Prej katër javësh kemi parë protesta të përditshme. Kemi parë atë që, me ironi, është quajtur tashmë “Revolucioni i Flamingove”. Kemi parë një betejë të ashpër në rrjetet sociale. Kemi dëgjuar çdo ditë të njëjtat slogane: “Shqipëria nuk është në shitje”, “Nuk na duhen investime të huaja”, “Mos prekni Zvërnecin”.
Në një demokraci, protesta është legjitime. Edhe kritika është legjitime. Edhe kërkesa për transparencë është legjitime. Madje, sa më i madh projekti, aq më e madhe duhet të jetë transparenca. Sa më i madh investimi, aq më të forta duhet të jenë garancitë ligjore dhe mjedisore.
Por këtu lind pyetja që ndan largpamësinë nga dritëshkurtësia: a po debatojmë për cilësinë e projektit, apo po refuzojmë vetë idenë e zhvillimit?
Sepse një shtet serioz nuk pyet: “A duhet ta ndalojmë investimin?” Një shtet serioz pyet: “A respektohet ligji? A mbrohet mjedisi? A përfiton komuniteti? A krijohen vende pune? A rritet ekonomia?”
Ky është dallimi.
Paradoksi i rreshtimit politik
Në Shqipëri, paradoksalisht, në frontin kundër projektit janë bashkuar njerëz që, në çdo demokraci normale, do të ishin në kampe të kundërta: konservatorë, ekstremistë të majtë, aktivistë ambientalë, një pjesë e brezit Gen Z, ish-politikanë, komentatorë, influencues. Të gjithë me një pikë të përbashkët: kundër investimit.
Ndërkohë, paradoksalisht, është një qeveri socialiste ajo që sot mbron më fort investimet strategjike të huaja si instrument zhvillimi ekonomik. Kjo nuk është çështje ideologjie. Është çështje realiteti ekonomik.
Britania është ekonomia e gjashtë më e madhe në botë. Ajo mund ta humbasë një investim të madh dhe, përsëri, mbetet një fuqi ekonomike. Shqipëria nuk e ka këtë luks. Ne kemi nevojë për kapital. Kemi nevojë për vende pune. Kemi nevojë për infrastrukturë moderne. Kemi nevojë për turizëm me vlerë të shtuar. Kemi nevojë për marka ndërkombëtare që rrisin besimin e investitorëve të tjerë. Kemi nevojë për projekte që ndryshojnë ekonominë, jo vetëm peizazhin.
Natyrisht, kjo nuk do të thotë se çdo projekt duhet pranuar pa kushte. Përkundrazi. Projektet strategjike duhet të kalojnë filtrin më të rreptë institucional. Duhet të respektojnë ligjin. Duhet të mbrojnë biodiversitetin. Duhet të garantojnë transparencë. Duhet të japin përfitime të matshme për komunitetin. Duhet të krijojnë ekonomi reale.
Por ekziston një ndryshim thelbësor:
Një shtet serioz nuk lufton investimin; lufton abuzimin. Nuk lufton kapitalin; lufton korrupsionin. Nuk lufton zhvillimin; lufton mungesën e standardeve.
Ky është modeli britanik. Dhe ky duhet të jetë edhe modeli shqiptar.
Mjeti për një ekonomi konkurruese
Në një kohë kur vendet e rajonit konkurrojnë për të tërhequr investime strategjike, Shqipëria nuk mund të përballojë luksin të trembë kapitalin ndërkombëtar. Përkundrazi, duhet të konkurrojë për ta sjellë atë: me ligj, me institucione, me standarde, me transparencë dhe me besueshmëri.
Sepse investimi i huaj nuk është një qëllim në vetvete. Është një mjet për të krijuar një ekonomi më të fortë. Për të mbajtur të rinjtë në Shqipëri. Për të rritur pagat. Për të zgjeruar klasën e mesme. Për ta bërë vendin më konkurrues në Mesdhe.
Në fund, pyetja nuk është nëse duhet ta mbrojmë natyrën. Natyrën duhet ta mbrojmë gjithmonë. Pyetja është nëse dimë ta mbrojmë atë duke zhvilluar, njëkohësisht, ekonominë.
Britania ka zgjedhur rrugën e largpamësisë. Ajo nuk i trembet investimeve të mëdha. I negocion. I kontrollon. I rregullon. I lidh me interesin publik. Dhe më pas i kthen në motor zhvillimi.
Edhe Shqipëria duhet të bëjë të njëjtën gjë. Jo të zgjedhë mes natyrës dhe zhvillimit, por të ndërtojë zhvillim me standarde. Sepse vendet nuk bëhen të pasura duke refuzuar kapitalin. Bëhen të pasura duke ditur ta përdorin atë në interes të qytetarëve të tyre.
Në fund të fundit, kur Anglia e quan historik një investim amerikan prej 6 miliardë paundësh, kush jemi ne që të mos duam 4.8 miliardë euro investime të huaja në Zvërnec? Kjo është largpamësia. Gjithçka tjetër është dritëshkurtësi”, shkruan Manja.
Top Channel