Nafta nën 5 dollarë në SHBA, çmimet bien pas lehtësimit të tensioneve në Lindjen e Mesme

24/06/2026 13:22

Çmimi mesatar i naftës në Shtetet e Bashkuara ka zbritur nën 5 dollarë për galon për herë të parë që nga mesi i marsit, pas rënies së vazhdueshme gjatë javëve të fundit.

Sipas të dhënave të AAA-së, çmimi mesatar i naftës ra në 4.98 dollarë për galon, duke u larguar nga niveli rekord prej 5.67 dollarësh i regjistruar më 6 maj.

Rënia lidhet kryesisht me pritshmëritë për një përmirësim të furnizimeve globale me naftë, pas zhvillimeve që çuan në rihapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe shpresave për negociata mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit.

Edhe pse shumica e amerikanëve nuk përdorin automjete me naftë, çmimi i saj ndikon drejtpërdrejt në ekonominë e gjerë, pasi transportuesit e mallrave shpesh rrisin kostot e dërgesave kur karburanti shtrenjtohet.

Ndërkohë, edhe benzina ka shënuar ndryshime të lehta. Çmimi mesatar i benzinës së zakonshme u rrit me rreth 0.2 cent, duke arritur në 3.93 dollarë për galon. Kjo ndaloi serinë prej 34 ditësh radhazi me ulje të çmimeve.

Megjithatë, tregu mbetet i ndjeshëm ndaj zhvillimeve në Lindjen e Mesme. Ekspertët paralajmërojnë se ende nuk është e qartë se sa shpejt furnizimet përmes Ngushticës së Hormuzit do të arrijnë nivele të mjaftueshme për kërkesën globale gjatë verës.

Top Channel