Brukseli planifikon mision të ri në Liban, synon mbështetjen e forcave të sigurisë

24/06/2026 16:05

BE-ja po shqyrton mundësinë e nisjes së një misioni trevjeçar ushtarak dhe politik në Liban për të trajnuar dhe këshilluar forcat e sigurisë së vendit, sipas një dokumenti të parë nga Reuters.

Propozimi është hartuar nga shërbimi diplomatik i Bashkimit Evropian pas një studimi mbi mënyrat për të forcuar Forcat e Sigurisë së Brendshme të Libanit, me synimin që ushtria libaneze të përqendrohet më shumë në çarmatosjen e Hezbollahut.

Diskutimet për një mision të mundshëm të BE-së zhvillohen në një kohë kur mandati i Forcës së Përkohshme të OKB-së në Liban (UNIFIL) pritet të skadojë në fund të vitit 2026, ndërsa më pas parashikohet të nisë një proces njëvjeçar tërheqjeje.

Sipas dokumentit të datës 17 qershor, i shpërndarë vendeve anëtare të BE-së, misioni do të kishte një mandat fillestar trevjeçar dhe do të mbështeste autoritetet libaneze në forcimin e kontrollit territorial dhe sigurisë kufitare përmes rritjes së kapaciteteve të ushtrisë dhe policisë.

Dokumenti parashikon mbështetje për regjimentet kufitare tokësore, forcat mobile dhe njësitë rajonale të xhandarmërisë, si dhe përmirësimin e aftësive të inteligjencës, mbikëqyrjes dhe zbulimit. Gjithashtu, misioni do të fokusohej në forcimin e sigurisë detare, menaxhimin e kufijve dhe sigurinë e porteve.

Megjithatë, çdo mision i tillë do të kërkonte miratimin e të 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.

Propozimi vjen në një situatë të ndërlikuar sigurie në Libanin jugor, ku forcat izraelite vazhdojnë të jenë të pranishme pas konfliktit të fundit me Hezbollahun. Luftimet shpërthyen pasi grupi libanez hapi zjarr ndaj Izraelit në mbështetje të Iranit, pak ditë pas sulmeve amerikane dhe izraelite ndaj Teheranit.

Megjithëse armëpushimi i shpallur mes Izraelit dhe Hezbollahut në fund të javës së kaluar është respektuar në masë të madhe që nga e diela, ushtria izraelite mbetet e vendosur në pjesë të Libanit jugor, duke argumentuar se prania e saj është e nevojshme për mbrojtjen e zonave veriore të Izraelit nga sulmet e mundshme të Hezbollahut.

Top Channel