Dorëheqja e Keir Starmer-it/ Shtyhet samiti BE–Mbretëri e Bashkuar i planifikuar për në korrik, Costa: Do të caktojmë një datë tjetër, dëshiroj që pasardhësi…
Alan Greenspan, ekonomisti që udhëhoqi politikën monetare amerikane për gati dy dekada dhe konsiderohet një nga figurat më me ndikim në historinë moderne të financave, ka ndërruar jetë në moshën 100-vjeçare.
Lajmi u bë i ditur nga bashkëshortja e tij, Andrea Mitchell, e cila tha se Greenspan ndërroi jetë në shtëpinë e tyre si pasojë e komplikacioneve nga sëmundja e Parkinsonit.
“Alan ndërroi jetë në shtëpinë tonë këtë mëngjes në moshën 100 vjeç nga ndërlikimet e sëmundjes së Parkinsonit. Ai ishte një gjigant që ndihmoi në formësimin e ekonomisë amerikane për dekada nën presidentët e të dyja partive, por ai ishte gjithmonë i ndershëm në pranimin e gabimeve të tij”, deklaroi Mitchell.
Greenspan u emërua në krye të Rezerva Federale e SHBA-së në vitin 1987 nga Ronald Reagan dhe qëndroi në detyrë deri në vitin 2006. Gjatë pesë mandateve të tij, ai bashkëpunoi me katër presidentë amerikanë dhe u bë një nga figurat më të rëndësishme të ekonomisë globale.
Mandati i tij përkoi me një nga periudhat më të gjata të rritjes ekonomike në historinë e Shteteve të Bashkuara, nga viti 1991 deri në vitin 2001. Për shumë vite, ai konsiderohej si njeriu që frymëzonte besim në tregjet financiare dhe ndikonte drejtpërdrejt në drejtimin e ekonomisë amerikane.
Megjithatë, emri i tij u lidh edhe me debatet që pasuan krizën financiare globale të viteve 2007-2008. Kritikët argumentuan se disa prej politikave të tij kontribuuan në krijimin e kushteve që çuan në krizën më të madhe ekonomike që nga Depresioni i Madh.
Përtej karrierës së tij financiare, Greenspan kishte edhe një anë më pak të njohur. Në rininë e tij ai studioi klarinetë në shkollën prestigjioze Juilliard School dhe luajti saksofon në një grup muzikor përpara se të hynte në botën e ekonomisë.
Ai ishte i njohur edhe për mënyrën e tij të veçantë të komunikimit. Një nga thëniet e tij më të famshme ishte: “Nëse rezultoj të jem veçanërisht i qartë, atëherë ndoshta e keni keqkuptuar atë që thashë”.
Pas largimit nga Rezerva Federale, Greenspan publikoi kujtimet e tij, për të cilat mori një parapagim prej 8.5 milionë dollarësh, një nga shumat më të mëdha të paguara ndonjëherë për një libër jofiktiv.
Me vdekjen e Alan Greenspan, ekonomia amerikane humbet një nga figurat më të rëndësishme të gjysmëshekullit të fundit, një njeri që ndikoi drejtpërdrejt në politikat monetare, tregjet financiare dhe zhvillimin ekonomik të Shteteve të Bashkuara për gati 20 vjet.
Top Channel